Sot mbahet balotazhi për Senat në Georgia, vendoset për ulësen e fundit
Votuesit në Georgia të Shteteve të Bashkuara të martën do të vendosin për ulësen e fundit në Senat, duke zgjedhur mes senatorit demokrat, Raphael Warnock dhe legjendës së futbollit, Herschel Walker, pas një gare katërjavore në fushatë, e cila ka tërhequr fonde të shumta e që është bërë gjithnjë më shumë luftë personale.
Balotazhi i këtij viti ka peshë më të vogël se dy garat e vitit të kaluar, kur fitoret e Warnock-ut dhe Jon Ossoff-it ia kishin siguruar demokratëve shumicën e ulëseve në Senat. Rezultati i balotazhit të së martës do të përcaktojë nëse demokratët do të kenë shumicë me 51 ulëse në Senat ose nëse do ta kontrollojnë këtë organ me numër të barabartë të ulëseve me republikanët, por duke u varur nga vota e nënpresidentes Kamala Harris.
Fitorja e Warnock-ut do ta përforconte statusin e Georgia-s si fushë të betejës për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Sidoqoftë, një fitore e Walker-it do të mund të ishte shenjë se rritja e demokratëve në këtë shtet mund të jetë disi e kufizuar, sidomos duke marrë parasysh se republikanët në Georgia i siguruan të gjitha fitoret e tjera në këtë shtet muajin e kaluar.
Në zgjedhjet e muajit të kaluar, Warnock-u pati epërsi prej rreth 37 mijë votash prej gati katër milionë sosh, por nuk arriti që ta siguronte shumicën, duke shkuar në balotazh. Rreth 1,9 milion njerëz tashmë kanë votuar përmes procesit të votimit të hershëm. Kjo është epërsi për demokratët, votuesit e të cilëve zakonisht votojnë në këtë mënyrë. Republikanët zakonisht shënojnë rezultate më të mira gjatë votimit në ditën e zgjedhjeve dhe fituesin e përcaktojnë margjinat.
“Ata kanë parë që unë do të punoj me këdo që më ndihmon për të bërë punë të mirë për njerëzit e Georgia-s. Mendoj se ata do ta bënë gjënë e duhur. Ata e dinë se kjo garë ka të bëjë me shkathtësinë dhe karakterin”- tha Warnock-u.
Në anën tjetër, Walker-i bëri fushatë të hënën me bashkëshorten e tij, Julie, duke i përshëndetur përkrahësit dhe duke ofruar falënderime në vend të fjalimit të tij të zakonshëm të fushatës dhe sulmeve të hapura ndaj rivalit Warnock.
“Ju dua të gjithëve dhe ne do t’i fitojmë këto zgjedhje”- tha ai, duke e krahasuar garën me kampionatet që i kishte fituar si atlet. “E dua fitimin e kampionateve”- shtoi republikani.
Pas zgjedhjeve të përgjithshme, presidenti amerikan, Joe Biden, i cili është ballafaquar me nivel të ulët të përkrahjes, kishte premtuar se do ta ndihmonte kandidatin demokrat në secilën mënyrë që do të mundte, edhe nëse kjo do të nënkuptonte qëndrimin larg Georgia-s. Duke e lënë anash presidentin, Warnock-u vendosi që të bënte fushatë me ish-presidentin Barack Obama në ditët para mbajtjes së balotazhit.

