Sondazh: Vetëm 16 për qind e italianëve do të luftonin për vendin e tyre - NACIONALE

Sondazh: Vetëm 16 për qind e italianëve do të luftonin për vendin e tyre

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Gati një e treta e italianëve besojnë se shteti i tyre do të jetë drejtpërdrejt i përfshirë në një luftë brenda pesë vjetëve, por vetëm 16 për qind e atyre që i përkasin moshës ushtarake do të ishin të gatshëm që t’i rroknin armët, sipas një sondazhi të publikuar të premten.

Sondazhi i realizuar nga Qendra për Studime të Investimeve Sociale (CENSIS) tregon se 39 për qind e italianëve të moshës 18 deri 45-vjeçare do ta shpallnin veten si kundërshtarë të vetëdijshëm pacifistë, 19 për qind thanë se do të mundoheshin që ta shmangnin rekrutimin në një mënyrë tjetër, ndërsa 26 për qind do të parapëlqenin që Italia të angazhonte mercenarë të huaj, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Pas viteve të tensioneve të përshkallëzuara gjeopolitike dhe dy luftërave që po vazhdojnë, në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, Italia u është bashkuar vendeve të tjera të NATO-s në zotimin për t’i rritur shpenzimet kombëtare në fushën e mbrojtjes.

Sidoqoftë, shumica e italianëve mbeten skeptikë në lidhje me riarmatosjen. Vetëm 26 për qind besojnë se parandalimi ushtarak është mënyrë e mirë për garantimin e paqes, ndërsa vetëm 25 për qind e përkrahin rritjen e buxhetit ushtarak edhe nëse një gjë e tillë do ta nënkuptonte uljen e fondeve të mirëqenies. Vetëm 11 për qind do të donin që Italia të kishte armë bërthamore.

Pavarësisht nga rritja e shpenzimeve për 46 për qind në mbrojtje gjatë dekadës së fundit, shpenzimet për kokë banori në Itali mbeten në mënyrë të krahasueshme të ulëta – 586 dollarë për person, sipas sondazhit. Greqia qëndron më mirë me 686 dollarë për kokë banori, ndërsa vendet si Shtetet e Bashkuara ose Norvegjia e kalojnë shifrën prej 2 mijë dollarësh për kokë banori të ndara për fushën e mbrojtjes.

Për ta garantuar sigurinë e Italisë, 49 për qind e të gjithë italianëve e përkrahin forcimin e NATO-s, ndërsa 58 për qind do të donin që të shihnin një sistem të integruar të mbrojtjes të Bashkimit Evropian, me një ushtri të vetme, nën një komandë të unifikuar dhe me blerje të përbashkët të armëve.

Sipas një sondazhi tjetër të publikuar muajin e kaluar nga Këshilli Evropian i Marrëdhënieve të Jashtme, vetëm 17 për qind e italianëve e mbështesin rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes, niveli më i ulët në mesin e 12 shteteve evropiane ku u realizua sondazhi./Nacionale

Lajme të ngjashme