Sondazh nga “Reuters”: Shumica e amerikanëve pro njohjes së Palestinës nga ShBA-ja - NACIONALE

Sondazh nga “Reuters”: Shumica e amerikanëve pro njohjes së Palestinës nga ShBA-ja

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Shumica e amerikanëve – përfshirë 80 për qind të demokratëve dhe 41 për qind e republikanëve – mendojnë se Shtetet e Bashkuara duhet ta njohin shtetësinë palestineze, një shenjë që kundërshtimi i presidentit Donald Trump ndaj këtij hapi nuk përputhet me opinionin publik, sipas një sondazhi të kryer nga agjencia “Reuters” dhe “Ipsos”.

Sondazhi i zhvilluar për gjashtë ditë dhe i mbyllur të hënën tregon se 59 për qind e të anketuarve e mbështesin njohjen e një shteti palestinez nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa 33 për qind ishin kundër. Pjesa tjetër ose ishin të pasigurt, ose nuk u përgjigjën, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Rreth gjysma e republikanëve – 53 për qind – janë kundër njohjes, ndërsa 41 për qind e republikanëve thanë se do ta mbështesnin njohjen e një shteti palestinez nga ShBA-ja.

Një numër në rritje i shteteve – përfshirë aleatët e Uashingtonit, Britaninë, Kanadanë, Francën dhe Australinë – e kanë njohur formalisht shtetësinë palestineze në javët e fundit, duke e nxitur zemërimin e Izraelit, themelimi i të cilit më 1948 çoi në zhvendosjen e qindra mijëra palestinezëve dhe disa dekada konflikt.

Rreth 60 për qind e të anketuarve thanë se kundërpërgjigjja e Izraelit ndaj sulmit të Hamasit më 2023 është e tepruar, ndërsa vetëm 32 për qind nuk u pajtuan me këtë pohim.

Trumpi, i cili u rikthye në pushtet në Shtëpinë e Bardhë në janar, kryesisht e ka mbështetur Izraelin në luftë dhe këtë muaj ndërmjetësoi një marrëveshje armëpushimi, duke e shtuar shpresën se paqja e qëndrueshme është e mundshme.

Sondazhi nga “Reuters” dhe “Ipsos” tregoi se publiku amerikan është i gatshëm që t’i japë Trumpit merita, nëse plani i tij funksionon. 51 për qind e të anketuarve u pajtuan me deklaratën se Trumpit “i takojnë merita domethënëse”, nëse përpjekjet për paqe dalin të suksesshme, ndërsa 43 për qind nuk u pajtuan me këtë deklaratë./Nacionale

Lajme të ngjashme