SOHR: Rebelët sirianë veç një kilometër larg Homsit – Rusia apel shtetasve që të largohen - NACIONALE

SOHR: Rebelët sirianë veç një kilometër larg Homsit – Rusia apel shtetasve që të largohen

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Luftëtarët rebelë në Siri e kanë marrë nën kontroll qytezën al-Dar Al-Kabira afër qytetit Homs, sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR), organizatë me bazë në Britaninë e Madhe.

Qyteza ndodhet vetëm një kilometër larg akademisë ushtarake në Homs, që është akademia më e madhe ushtarake në Siri, raporton televizioni BBC.

Në të njëjtën kohë, sipas kësaj organizate, shumë oficerë dhe anëtarë të Divizionit të 26-të, batalion i mbrojtjes ajrore, janë tërhequr nga Ter Maalah, në veri të Homsit.

Ndërkohë, ambasada ruse në Siri ka lëshuar një apel për shtetasit rusë që ndodhen në këtë shtet, duke u bërë thirrje që të largohen nga Siria.

Në një deklaratë të shkurtër në rrjetin “Telegram”, ambasada e përmendi “situatën e vështirë politike e ushtarake”, ndërsa shtetasit rusë i këshoi që “të largohen nga vendi me fluturime komerciale përmes aeroporteve ekzistuese”.

Rusia është mbështetëse kyçe e Qeverisë së presidentit Bashar al-Assad.

Javën e kaluar, forcat ruse në Siri e vunë në shënjestër me sulme qytetin e kontrolluar nga rebelët, Idlib, në përpjekje për t’i ngadalësuar forcat rebele që po e rrezikojnë regjimin e Assadit.

Më herët këtë javë, inteligjenca ukrainase sugjeroi se presidenti rus, Vladimir Putin, ishte duke planifikuar që “të dërgonte mercenarë nga kompani ushtarake private për t’i ndihmuar ata [forcat qeveritare]”./Nacionale

Lajme të ngjashme