Sofja jep shpresë për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut
Me pak ditë t; mbetura përpara se liderët e BE-së të diskutojnë për zgjerimin në samitin e BE-së, Sofja ka dhënë pak shpresë se vetoja e saj mbi hapjen e bisedimeve të pranimit të Maqedonisë së Veriut mund të hiqet.
Rruga e Maqedonsë së Veriut dhe Shqipërisë është e lidhur me Shkupin ndaj të cilit Bullgaria ka vënë veto shkaku i mosmarrëveshjeve kulturore, historike dhe të drejtave të njeriut. Maqedonasit kërkojnë që të fillojë anëtarësimi dhe të zgjidhen të gjitha çështjet gjatë negociatave, ndërsa Bullgaria ka qëndruar sfiduese - të paktën deri dje.
“Këshilli i Ministrave dhe Asambleja Kombëtare le të vendosin me ekspertizë nëse një protokoll dypalësh me Shkupin mbron mjaftueshëm interesin bullgar sepse ky protokoll duhet të bëhet pjesë e kornizës së negociatave dhe tani e tutje të ndërtojë të gjitha marrëdhëniet mbi bazën e tij”, ka thënë presidenti bullgar, Rumen Radev.
Radev i referohet një sugjerimi të Presidencës së Këshillit Francez që çështjet të trajtohen gjatë kapitujve me përparimin e vendit vetëm nëse gjenden zgjidhje, të ngjashme me sugjerimin e vetë Shkupit.
“Propozimet e presidencës franceze janë më të mirat deri tani, janë më të drejtat. Çështjet dypalëshe duhet të ngrihen në nivel të BE-së. Kjo nuk është vetëm një mosmarrëveshje dypalëshe historike midis Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut”, komentoi Radev.
Radev shtoi se këto janë çështje që prekin themelet e Bashkimit Evropian dhe partnerët evropianë më në fund e kanë kuptuar se korniza negociuese është vendi për adresimin e këtyre çështjeve.
Presidenca franceze ka propozuar hapa për të dyja vendet për heqjen e vetos. Qeveria bullgare e ka kaluar këtë çështje në parlament, i cili nuk duket se do të diskutojë propozimin përpara takimit të ardhshëm të BE këtë javë.
Sipas Radevit, qasja aktuale që qeveria ta kalojë këtë çështje në parlament nuk funksionon.
Megjithatë, pozicioni i presidentit zgjidh duart e partisë socialiste bullgare, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës, për të mbështetur heqjen e vetos në parlament. Deri më tani, Radev ishte një nga mbështetësit më të fortë të vetos bullgare, e po ashtu edhe socialistët.
“Duhet të jetë e qartë se Pozicioni i Kuadrit Kombëtar është zhvilluar dhe miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave në vitin 2019 dhe është mbështetur nga Parlamenti bullgar me një deklaratë”, kujton Radev. Sipas tij, qëndrimi i Kuadrit Kombëtar për këtë temë duhet të hartohet nga Këshilli i Ministrave si rezultat i ekspertizës së Ministrisë së Jashtme dhe të miratohet nga Kuvendi.
Komentet e tij vijnë vetëm disa ditë pasi ai e quajti propozimin francez "të huaj" dhe identifikoi kryeministrin Kiril Petkov si "korrier" për një nismë të tillë të jashtme. “Qeveria asnjëherë nuk arriti të përgatisë një propozim bullgar për rastin me Maqedoninë e Veriut. Gjithçka e transferoi në Asamblenë Kombëtare pa dhënë një qëndrim të qartë. Kryeministri nuk mund të sjellë diçka në parlament pa dhënë një qëndrim – ai nuk është korrier, por kryeministër!” ka thënl Radev me mediat bullgare.