Skadoi të dielën, zgjatet afati i marrëveshjes për armëpushim në Liban - NACIONALE

Skadoi të dielën, zgjatet afati i marrëveshjes për armëpushim në Liban

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara dhe Libani kanë thënë se marrëveshja për armëpushim me Izraelin, e cila do të skadonte të dielën, është zgjatur deri pas mesit të shkurtit.

Izraeli kishte mbajtur ushtarë të dislokuar në Liban përtej afatit fillestar, duke e akuzuar Qeverinë e Libanit se nuk po e zbatonte plotësisht pjesën e vet të paktit, me të cilën kërkohej largimi i Hezbollahut nga zona, raporton televizioni BBC.

Të dielën, Ministria e Shëndetësisë e Libanit tha se ushtarët izraelitë kishin vrarë 22 njerëz dhe kishin plagosur 124 të tjerë, të cilët po mundoheshin të ktheheshin në shtëpitë e tyre në pjesën jugore të vendit.

Kryeministri i Libanit, Najib Mikati, tha se, pas kontaktit me Shtetet e Bashkuara, armëpushimi do të mbetet në fuqi deri më 18 shkurt.

Plani fillestar i armëpushimit, i njoftuar në fund të nëntorit, e solli fundin e 14 muajve konflikt mes Izraelit e grupit të armatosur libanez, Hezbollah.

E ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Franca, marrëveshja i dha Hezbollahut 60 ditë kohë për t’i dhënë fund pranisë së armatosur në jug të Libanit, ndërsa forcave izraelite u kërkohej tërheqja brenda periudhës së njëjtë.

Kur e kishte njoftuar marrëveshjen, presidenti i atëhershëm amerikan, Joe Biden, kishte thënë se ajo ishte “dizajnuar për të qenë ndërprerje e përhershme e armiqësive” mes dy palëve.

Sidoqoftë, të premten, dy ditë para përfundimit të afatit të marrëveshjes, Izraeli tha se disa ushtarë do të mbeteshin në rajon, pasi marrëveshja e armëpushimit “ende nuk ishte zbatuar plotësisht nga shteti libanez”.

Në një deklaratë të së dielës të Shtëpisë së Bardhë thuhet se afati i paktit tashmë është zgjatur deri më 18 shkurt dhe se do të fillojnë bisedime për kthimin e të burgosurve libanezë që ishin kapur më 7 tetor 2023./Nacionale

Lajme të ngjashme