“Sjellje e papranueshme”, “pasoja të fuqishme”: Përplasen ashpër Franca e Italia - NACIONALE

“Sjellje e papranueshme”, “pasoja të fuqishme”: Përplasen ashpër Franca e Italia

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Franca tha të enjten se do ta lejojë ankorimin e një anijeje të një organizate joqeveritare me mbi 200 emigrantë të shpëtuar në Detin Mesdhe në portin e Toulon-in, duke e kritikuar ashpër Italinë për mospranimin e anijes.

Reuters

Emigrantët janë temë e ndjeshme në të dyja këto shtete. Ministri i Punëve të Brendshme i Francës, Gerald Darmanin, tha se ndalimi i anijes së bamirësisë nga qeveria djathtiste italiane, që kishte mbetur në ujërat afër Sicilisë disa ditë, është i dënueshëm dhe egoist, raporton agjencia “Reuters”.

“Në këtë kontekst, Franca vendosi mbi një bazë të jashtëzakonshme për ta përmirësuar sjelljen e papranueshme të qeverisë italiane dhe për ta ftuar anijen që të vijë në portin ushtarak të Toulon-it”, shtoi ministri francez në një konferencë për gazetarë.

Në anën tjetër, Italia e kundërshtoi ashpër këtë kritikë, duke thënë se reagimi francez e nënvizon dështimin e Evropës për t’u marrë me numrin në rritje të emigrantëve, shumë prej të cilëve arrijnë në kontinent përmes barkave nga pjesa veriore e Afrikës.

“Reagimi i Francës ndaj kërkesës për të pranuar 234 emigrantë, përderisa Italia ka pranuar 90.000 vetëm këtë vit, është tërësisht i pakuptueshëm përballë thirrjeve të vazhdueshme për solidaritet”, tha në një deklaratë ministri i Punëve të Brendshme i Italisë, Matteo Piantedosi.

Anija “The Ocean Viking”, që operohet nga organizata bamirëse “SOS Mediterranee”, ishte duke lundruar të enjten pranë ishullit francez të Korsikës, por më parë ishte afër Italisë. Pritet që të premten të arrijë në Toulon të Francës.

“Nuk ka dyshim që ajo [anija] ishte në zonën italiane të kërkim-shpëtimit”, tha ministri francez, duke shtuar se ky veprim “do të ketë pasoja jashtëzakonisht të fuqishme për marrëdhënien dypalëshe”.

Sa për fillim, Franca nuk do të pranojë rreth 3.000 emigrantë, të cilët kanë arritur në Itali dhe për të cilët ministri francez tha se Parisi më parë ishte pajtuar t’i pranonte. Sipas tij, Franca gjithashtu do t’i përforcojë kontrollet kufitare në kufirin e saj me Italinë për ta parandaluar kalimin e emigrantëve.

Tensione të vjetra

Italia dhe Spanja, ku arrijnë shumica e barkave me emigrantë, kanë kërkuar për një kohë të gjatë që aleatët e BE-së duhet të ofrojnë më shumë ndihmë për këtë çështje. Vetëm 164 nga gati 90.000 emigrantët që kanë arritur këtë vit në Itali, deri më tani janë rivendosur në shtete të tjera të Bashkimit Evropian, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara.

Çështja se si të trajtohen emigrantët në Bashkimin Evropian, ka qenë burim i tensioneve me vite, por kritika e hapur dhe e ashpër e Francës ndaj Italisë të enjten është goxha e pazakonshme.

Katër anije të organizatave bamirëse me gjithsej rreth 1.000 emigrantë janë bllokuar në ujërat e Italisë në ditët e fundit. Qeveria italiane u ka bërë thirrje Gjermanisë e Norvegjisë që t’i marrin përsipër këto anije. Sidoqoftë, katër anijet u ankoruan në Itali.

Qeveria e kryeministres italiane, Giorgia Meloni, i ka akuzuar anijet e organizatave bamirëse se po veprojnë de fakto si taksi për emigrantët që janë në kërkim të një jete më të mirë në Evropë dhe i ka kërcënuar ato me gjoba.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme