Situata në Mariupol mund të jetë 'vijë e kuqe' në bisedimet Rusi-Ukrainë
Situata "e rëndë" në qytetin e rrethuar të Mariupolit mund të jetë një "vijë e kuqe" në rrugën e negociatave, tha ministri i jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba.
Në një intervistë për CBS News, Kuleba tha gjithashtu se kohëve të fundit nuk kishte pasur ndonjë komunikim diplomatik midis Rusisë dhe Ukrainës në nivel të ministrive të tyre të jashtme.
“Ne nuk kemi pasur kontakte me diplomatët rusë javët e fundit në nivel të ministrive të jashtme. I vetmi nivel kontakti është ekipi negociator që përbëhet nga përfaqësues të institucioneve të ndryshme dhe deputetë. Ata vazhdojnë konsultimet e tyre në nivel ekspertësh, por nuk po zhvillohen bisedime të nivelit të lartë."
Ministri i Jashtëm vazhdoi duke thënë se ai priste "intensifikimin e luftimeve të rënda në Ukrainën lindore" në javët e ardhshme.
Ndërsa, më herët sot, ushtarët ukrainas kundërshtuan një ultimatum rus për të hedhur armët në Mariupol, me kryeministrin ukrainas Denys Shmyhal i cili tha se trupat në qytetin port janë ende duke luftuar dhe do të luftojnë deri në fund. Në anën tjetër, Kremlini ka thënë se forcat e tij e kanë pushtuar pothuajse gjithë qytetin.