Siria vendos shtetrrethim në Latakia
Forcat siriane të sigurisë vendosën orë policore në qytetin Latakia, bastion i pakicës alavite, raportuan të martën mediat shtetërore, pak ditë pasi katër njerëz u vranë në protestat që u shndërruan në dhunë.
Siria është goditur nga disa episode të gjakderdhjes sektare që nga rrëzimi i ish-presidentit Bashar al-Assad, i cili rrjedh nga komuniteti alavit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Mediat shtetërore thanë se ora policore do të mbahet nga ora 17:00 të martën deri në orën 6 të mëngjesit të mërkurën.
Forcat e sigurisë e përforcuan dislokimin e tyre në disa lagje të qytetit që shtrihet në bregdetin e Mesdheut, ku të hënën pati trazira nga të cilat mbetën të lënduar disa njerëz.
Mijëra protestues alavitë u mblodhën të dielën në sheshin “Azhari” në Latakia për të kërkuar system të decentralizuar politik në Siri dhe lirimin e mijëra të burgosurve alavitë.
Një protestë e ngjashme muajin e kaluar kishte zgjatur rreth një orë para se të ballafaqohej me një protestë rivale në mbështetje të autoriteteve të reja qeveritare. Forcat siriane të sigurisë përdorën shkrepje të armëve të zjarrit për t’i shpërndarë turmat në të dyja rastet.
Gazeta “Nacionale” raportoi të hënën vonë për katër të vrarët në protesta. Për ta lexuar artikullin rreth këtij zhvillimi, klikoni këtu.