Katër të vdekur e dhjetëra të lënduar nga përleshjet mes alavitëve e kundërprotestuesve në Siri - NACIONALE

Katër të vdekur e dhjetëra të lënduar nga përleshjet mes alavitëve e kundërprotestuesve në Siri

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Përleshje shpërthyen në zonën bregdetare të Sirisë mes protestuesve të pakicës fetare alavite dhe kundërprotestuesve të dielën, duke lënë të vdekur të paktën katër njerëz e dhjetëra të tjerë të lënduar, thanë zyrtarët shëndetësorë.

Këto përleshje ndodhën vetëm dy ditë pasi një shpërthim në një xhami alavite në qytetin Homs la të vrarë tetë njerëz e 18 të tjerë u lënduan gjatë lutjeve të së premtes. Mijëra protestues u mblodhën në qytetet bregdetare, Latakia dhe Tartous, si dhe në zona të tjera, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Protestat e së dielës ishin organizuar nga Ghazal Ghazal, sheik alavit që jeton jashtë Sirisë dhe që drejton një grup të quajtur Këshilli Suprem Islamik Alavit në Siri dhe Diasporë.

Një fotograf i agjencisë “Associated Press” në Latakia pa kundërprotestues pro-qeveritarë duke hedhur gurë në drejtim të protestuesve alavitë, ndërsa një grup i protestuesve rrahën një kundërprotestues që kishte kaluar në anën e tyre. Forcat e sigurisë u munduan që t’i ndalin dy palët dhe shkrepën me armë në ajër në përpjekje për ta shpërndarë turmën.

Televizioni shtetëror sirian raportoi se dy pjesëtarë të forcave të sigurisë u lënduan në zonën e qytetit Tartous, pasi dikush hodhi një granatë dore në drejtim të stacionit të policisë, ndërsa veturave që u përkisnin forcave të sigurisë iu vu zjarri në Latakia.

Më vonë, agjencia shtetërore e lajmeve, SANA, raportoi se një pjesëtar i forcave të sigurisë ishte vrarë nga zjarri i armëve.

Fotografi i agjencisë “Associated Press” në Latakia i pa trupat e katër njerëzve të vrarë gjatë përleshjeve, që ishin dërguar në spitalet lokale. Tre prej tyre kishin plagë në kokë që dukeshin si të shkaktuara nga gurët, ndërsa një tjetër kishte plagë nga plumbi në gjoks.

Agjencia SANA tha se 60 persona pësuan lëndime nga “therjet, goditjet nga gurët dhe zjarri i armëve nga personeli i sigurisë dhe nga civilët”./Nacionale

Lajme të ngjashme