Siria thotë se forcat po përgatiten për ridislokim në Sweida, i akuzon druzët për shkelje të armëpushimit - NACIONALE

Siria thotë se forcat po përgatiten për ridislokim në Sweida, i akuzon druzët për shkelje të armëpushimit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Forcat siriane të sigurisë janë duke u përgatitur për ridislokim në qytetin me shumicë druze, Sweida, për t’i qetësuar luftimet mes pjesëtarëve të këtij komuniteti pakicë dhe fiseve beduine, tha zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, vetëm pas pak më shumë se një dite pas tërheqjes së tyre nga qyteti jugor.

Njoftimi vjen pasi Presidenca e Sirisë i akuzoi luftëtarët e komunitetit druze për shkelje të armëpushimit që e kishte sjellë tërheqjen e forcave qeveritare, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Ushtria siriane kishte hyrë në Sweida më herët këtë javë për shkak të luftimeve mes druzëve dhe beduinëve, të cilat thuhet se filluan pasi disa beduinë të armatosur sulmuan një shitës druze të perimeve të dielën.

Megjithatë, dëshmitarët raportuan se forcat qeveritare u bënë bashkë me beduinët në sulmet kundër luftëtarëve dhe civilëve të komunitetit druze në një aksion të përgjakshëm në qytet. Raportohet për më shumë se 300 njerëz të vrarë gjatë këtyre ditëve.

Forcat qeveritare u tërhoqën nga qyteti të mërkurën në mbrëmje, duke thënë se kishin arritur një armëpushim me forcat lokale druze.

Megjithatë, duket se luftimet në Sweida kanë vazhduar. Një komandant ushtarak i beduinëve i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” se luftëtarët beduinë kishin nisur një ofensivë të re kundër luftëtarëve druzë.

Komandanti tha se armëpushimi vlen vetëm për forcat qeveritare, e jo për beduinët, dhe se luftëtarët beduinë po synonin që të lironin pjesëtarë të komunitetit të tyre që ishin kapur nga grupet e armatosura druze ditëve të fundit.

Izraeli e ka paralajmëruar Qeverinë e Sirisë se nuk do të lejojë që forcat e saj të vendosen në jug të Damaskut./Nacionale

Lajme të ngjashme