Siria do të qëndrojë jashtë konfliktit të Iranit, përpos nëse përballet me agresion, thotë Al-Sharaa - NACIONALE

Siria do të qëndrojë jashtë konfliktit të Iranit, përpos nëse përballet me agresion, thotë Al-Sharaa

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, tha të martën se vendi i tij do të qëndrojë jashtë luftës amerikano-izraelite kundër Iranit, përpos nëse vendi i tij bëhet subjekt i agresionit dhe nuk ka zgjidhje diplomatike.

“Përderisa Siria nuk shënjestrohet nga ndonjë palë, Siria do të mbetet jashtë cilitdo konflikt” – tha presidenti sirian në një ngjarje të organizuar nga organizata “Chatham House” në Londër, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Ne nuk duam që Siria të jetë arenë e luftës, por, fatkeqësisht, sot gjërat nuk janë të qeverisura nga mendje të mençura. Situata është e rastësishme dhe e paqëndrueshme” – tha ai.

Konflikti që filloi para një muaji është përhapur në rajon, duke lënë mijëra të vrarë, duke i penguar dërgesat e energjisë dhe duke rrezikuar që sjellë rënie të lirë në ekonominë globale.

“Ne dëshirojmë që Siria të ketë marrëdhënie ideale me tërë rajonin, me Libanin, Irakun, Turqinë, Arabinë Saudite dhe fuqitë botërore si Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe ShBA-ja. Mendoj se Siria është e kualifikuar që të fillojë një rrjet strategjik të marrëdhënieve” – shtoi presidenti sirian, duke iu përgjigjur pyetjes nëse Siria do të qëndrojë neutrale, përderisa konflikti vazhdon.

Siria është përpjekur që të qëndroj anash konfliktit rajonal që i ka tërhequr vendet fqinje, përfshirë Libanin, ku grupi Hezbollah është bërë pjesë e luftimeve kundër trupave izraelite, si dhe Irakun, ku grupet e lidhura me Iranin kanë kryer sulme me dronë e raketa.

“Ne kemi pasur mjaft luftë. Paguam një faturë të madhe. Nuk jemi gati për një përvojë tjetër lufte” – tha Al-Sharaa.

Lajme të ngjashme