Sipas një sondazhi, besimi i ukrainasve në Zelenskyn ka rënë - NACIONALE

Sipas një sondazhi, besimi i ukrainasve në Zelenskyn ka rënë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Besimi i publikut në presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka rënë në pikën më të ulët në rreth gjashtë muaj pas protestave të rralla në kohë lufte kundër lëvizjes për kufizimin e kompetencave të agjencive kundër korrupsionit, tha të mërkurën një organizatë e njohur e sondazheve në Kiev.

Sondazhi i kryer nga Instituti Ndërkombëtar i Kievit për Sociologji është i pari nga një organizatë e rëndësishme ukrainase e anketave që e mat qëndrimin e publikut që nga koha kur Zelensky nxiti zemërim me lëvizjen për t’i nënshtruar agjencitë kundër korrupsionit para prokurorit të përgjithshëm, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Mijëra ukrainas kishin dalë rrugëve të Kievit dhe në qytete të tjera muajin e kaluar për të protestuar kundër masave të çuara përpara me ritëm të shpejtë, duke i nxitur Zelenskyn dhe partinë e tij në pushtet që shpejt ta ndryshonin qasjen.

Sipas sondazhit, i cili ishte nisur një ditë pas votimit kundërthënës më 22 korrik, 58 për qind e ukrainasve tani për tani i besojnë Zelenskut, dukshëm më pak se pika më e lartë në 18 muaj prej 74 për qind dhe 67 për qind në periudhën shkurt – mars.

Nisma kundër autoriteteve që e luftojnë korrupsionin muajin e kaluar kishte nxitur pakënaqësi posaçërisht për shkak të atyre që kritikët i përshkruan si shpejtësia dhe mungesa e transparencës me të cilat masat u miratuan.

Luftimi i korrupsionit dhe përmirësimi i qeverisjes janë kërkesa kyçe për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian, hap që prej shumë figurave cilësohet si jetik për ta shmangur presionin e Rusisë në të ardhmen.

Lajme të ngjashme