Simbolikë me peshë: Deputetët francezë e votojnë sot paktin e sigurisë me Ukrainën
Ligjvënësit francezë do të tregojnë të martën nëse përkrahin një pakt sigurie me Ukrainën. Votimi nuk është i detyrueshëm, por po përcillet për së afërmi në Francë dhe përtej saj.
Zyrtarët ukrainas i kanë thënë agjencisë “Reuters” se janë të brengosur që një votim që nuk do të ishte në masë dërrmuese në favor të Kievit do të ishte negativ në aspektin simbolik dhe do të mund t’i dëmtonte përpjekjet e presidentit francez, Emmanuel Macron, për ta shtuar përkrahjen e Francës në muajt e ardhshëm.
Në paktin 10-vjeçar të sigurisë me Ukrainën përfshihen zotime nga Parisi për të dhuruar më shumë armë, për të trajnuar ushtarë dhe për të dërguar deri në tre miliardë euro ndihma ushtarake në Ukrainë më 2024, raporton agjencia "Reuters".
Macroni gjithashtu ka zbatuar qëndrim më të ashpër ndaj Rusisë, duke u bërë thirrje aleatëve të Ukrainës që urgjentisht të bëjnë më shumë dhe ka nxitur reagime në mesin e disave për shkak se nuk e ka përjashtuar praninë e trupave perëndimore në Ukrainë.
Partia e së djathtës ekstreme RN ka thënë se do të abstenojë në votimin e së martës, ndërsa partia e së majtës ekstreme, LFI, gjithashtu është kundër këtij pakti të sigurisë.
“Nuk dëshiron që Emmanuel Macron-i të ketë frerë të lirë” – tha kryetari i RN-së, Jordan Bardella, duke e akuzuar presidentin për çuarjen e Francës drejt një “rruge të papërgjegjshme, të rrezikshme”.
Macroni ka bërë shtytje për këtë votim në përpjekje për t’i armiqësuar të djathtën ekstreme dhe të majtën ekstreme para zgjedhjeve për Parlamentin Evropian në qershor për pozicionin e tyre të perceptuar si më pak mbështetës ndaj Ukrainës.
Megjithatë, pozicionimi i ri për një udhëheqës që vetëm para 18 muajve kishte paralajmëruar kundër poshtërimit të Rusisë ka shkaktuar befasi.
Sipas anketave, partia RN do t’i fitonte bindshëm zgjedhjet e BE-së në Francë.
Në bazë të një ankete të kompanisë “Elable” të dielën, shihet rënie e përkrahjes së publikut francez për ndihma financiare dhe ushtarake për Ukrainën. Rreth 52 për qind e pjesëmarrësve thanë se ata përkrahin një rol për trupa franceze joluftarake në Ukrainë, por 79 për qind ishin kundër dërgimit të trupave luftarake.
Përkrahësit e Macronit thonë se është jetike që të qartësohen pozicionet e të gjithëve, përderisa lufta në Ukrainë ka hyrë në vitin e tretë.
“Përballë Rusisë, ne nuk mund të mbajmë një qëndrim që është i dobët. RN-ja dhe LFI-ja duhet të ndalen së qenuri mashtruese” – tha ministri i Mbrojtjes, Sebastien Lecornu.