Si vendosi ShBA-ja që ta vriste terroristin më të kërkuar në botë? - NACIONALE

Si vendosi ShBA-ja që ta vriste terroristin më të kërkuar në botë?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Para se të jepte urdhër për vrasjen e Ayman al-Zawahiri-t, presidenti amerikan, Joe Biden, dëshiroi që në mënyrë intime të kuptonte se ku po fshihej udhëheqësi i Al-Qaeda-s.

Sulmi me dron, me të cilin u vra Zawahiri në ballkonin e tij në qendër të Kabulit, ishte rezultat i planifikimit shumë sekret që zgjati disa muaj nga Biden-i dhe një rreth i ngushtë i këshilltarëve të tij të lartë. Në mesin e përgatitjeve ishte një model i vogël i shtëpisë së sigurt të Zawahiri-t, ndërtuar nga zyrtarët e inteligjencës dhe i vendosur brenda të ashtuquajturës dhomë e situatave në Shtëpinë e Bardhë, në mënyrë që Biden-i ta ekzaminonte zonën përderisa i debatonte opinionet e tij.

Për presidentin, mundësia për ta eliminuar terroristin më të kërkuar në botë, njëri nga organizatorët e sulmeve të 11 shtatorit, ishte e lidhur edhe me rrezikun për vrasjen aksidentale të civilëve në kryeqytetin afgan – sepse kështu ndodhi para 11 muajve me një sulm amerikan me dron gjatë tërheqjes kaotike të forcave amerikane nga Afganistani.

Hollësitë e sulmit dhe të planifikimit të tij u zbuluan nga një zyrtar i lartë i administratës përderisa Biden-i po përgatitej që ta njoftonte misionin të hënën, shkruan CNN.

Gjatë tërë përpjekjes së gjatë me muaj për ta planifikuar sulmin e fundjavës, presidenti Biden vazhdimisht i ngarkoi zyrtarët me detyrën për t’u siguruar që civilët, përfshirë anëtarët e familjes së Zawahiri-t, të mos vriteshin. Sipas Shtëpisë së Bardhë, askush prej tyre nuk është vrarë.

“Njerëzit përreth botës nuk do të kenë nevojë më që t’i frikësohen vrasësit të egër e të vendosur. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë që t’i shfaqin vendosmërinë tonë dhe kapacitetin tonë për ta mbrojtur popullin amerikan ndaj atyre që synojnë që të na bëjnë dëm”, tha presidenti amerikan nga ballkoni i Dhomës së Kaltër në Shtëpinë e Bardhë.

Ai ishte informuar fillimisht në prill se inteligjenca amerikane e ka zbuluar vendndodhjen e Zawahiri-t në një shtëpi në Kabul. Zyrtarët amerikanë ishin të vetëdijshëm për një rrjet që e përkrahte udhëheqësin terrorist me muaj dhe i kishin identifikuar bashkëshorten, vajzën dhe fëmijët e saj përmes disa linjave të inteligjencës.

Përderisa zyrtarët vazhdonin që t’i vëzhgonin aktivitetet e Zawahiri-t, filloi përpjekja tërësisht sekrete për t’i analizuar planin dhe strukturën e shtëpisë. Qëllimi ishte që të eliminohej caku pa e rrezikuar integritetin strukturor të ndërtesës.

Në qendër të vëmendjes ishte shmangia e vdekjes së civilëve, përfshirë anëtarët e familjes së Zawahiri-t, që jetonin në atë shtëpi. Analistë të pavarur nga sektorë të ndryshëm të qeverisë u përfshinë në identifikimin e banorëve të tjerë të shtëpisë.

Ekipi që po e bënte planin, u mblodh disa herë në Dhomën e Situatave në javët në vazhdim për ta përfunduar planin, për t’iu përgjigjur pyetjeve të presidentit dhe për t’u siguruar se kanë shqyrtuar çdo rastësi për t’i minimizuar rreziqet.

Më 25 korrik, kur ishte i izoluar për shkak të infektimit me koronavirus, presidenti amerikan e mblodhi përsëri ekipin për t’i marrë informatat përfundimtare. Ai përsëri kërkoi opsione shtesë për t’i minimizuar pasojat ndaj civilëve.

Ai pyeti për planin e shtëpisë dhe për efektin e mundshëm të sulmit. E kërkoi pikëpamjen e secilit zyrtar. Në fund, ai dha urdhër për një sulm të saktë.

Pesë ditë më vonë, dy raketa të tipit “Hellfire” u hodhën në ballkonin e shtëpisë në Kabul në orën 6 e 18 minuta në mëngjes, sipas kohës lokale. Disa linja të inteligjencës konfirmuan se Zawahiri u vra.

Një zyrtar amerikan tha se anëtarët e familjes së tij, që ishin në zonat e tjera të shtëpisë, nuk janë lënduar.

Presidenti amerikan, ende i izoluar në Shtëpinë e Bardhë, u informua se kur filloi dhe kur përfundoi operacioni./Nacionale

Lajme të ngjashme