Si u godit luftanija e vjetër ruse nga dy raketa të Ukrainës
Forcat ukrainase përdorën disa nga raketat e tyre më të reja "Neptun", për të hedhur në erë një luftanije ruse të epokës sovjetike, në atë që po cilësohet si fatkeqësia më e madhe detare që nga Lufta e Dytë Botërore.
Luftanija ka qenë në shërbim për gati 40 vjet, ndërsa nga raportet e deritanishme thuhet se fillimisht janë përdorur dronë për ta shpërqendruar atë dhe mbrojtjen ajrore përpara lëshimit të raketave nga një bateri e feshur pranë Odesës.
Më pas raportohet se anija është goditur nga dy raketa duke shkaktuar një shpërthim masiv në një nga tubat e ekspozuar të “Moskvës” e Rusia ka nxjerrë pretendime se anija është evakuuar dhe është në det për shkak të një zjarri, duke mos e përmendur goditjen ukrainase.
Ndërkohë, nga Ukraina është thënë se besohet që anija është duke u fundosur nga dëmet e marra si dhe nga moti i keq i cili tashmë po dëmton rrënojat.
Raketat e Neptunit me të cilat u godit anija, janë futur në shërbimin ushtarak të Ukrainës vitin e kaluar, dhe secila nga to mbanë një kokë 333lb me një rreze veprimi prej 170 miljesh.
Ndërkohë, bateritë të cilat janë të montuara në pjesën e pasme të kamionëve të mëdhenj, mund të armatosen me 72 raketa.
Besohet se zbulimi i objektivave bëhet nga dronët, ndërsa më pas ndodh goditja me raketa që mund të godasin me një shpejtësi prej më shumë se 650mph.
The Sun shkruan se Putini tashmë ëshë informuar për katastrofën e fundit që ka goditur luftën e tij të bllokuar në Ukrainë.
Moskva është anija më e madhe e llojit të saj e zhytur në luftime që kur Britania shkatërroi “gjeneralin Belgrano” gjatë Luftës së Falklands në vitin 1982.
Belgrano - gjithashtu një luftanije, ishte fundosur nga HMS Conqueror me përdorimin e dy silurëve Tigerfish, në një nga betejat më famëkeqe të njohura në botë. Nga fundosja e saj humbën jetën 323 marinarë

Anija kryesore ruse kishte operuar nga Deti i Zi që nga fillimi i luftës dhe besohet se ka marrë pjesë në sulme në brigjet e Ukrainës - është pikërisht ajo anije të cilës ushtarët ukrainas në ishullin e gjarpërinjëve i thanë “shko në ferr”.
Luftanija, e cila peshon 12,490 ton ka një histori të gjatë shërbimi, ajo për herë të parë u prezantua në vitin 1976 dhe nisi shërbimin shtatë vjet më vonë, në 1983.
Besohet se sistemi anti-ajror i kësaj anije ishte i vjetëruar dhe prandaj nuk mund të mbrohej nga raketat ukrainase.
Fillimisht emri i anijes ishte Slava, ajo u hoq nga shërbimi gjatë rënies së Bashkimit Sovjetik dhe u rikthye në vitin 2000 ku u bë flamurtarja e Flotës së Detit të Zi.
Moskva luajti një rol në pushtimin e Gjeorgjisë në vitin 2008, gjatë bombardimeve ruse të Sirisë në 2013 dhe 2014 si dhe bllokoi Ukrainën gjatë aneksimit të Krimesë.
Anija e vjetëruar është një nga të shumtat brenda marinës rrënqethëse dhe të vjetëruar të Rusisë, nga koha e Bashkimit Sovjetik.
Përveç Moskvës, një nga shembujt tjerë më famëkeq të marinës së rrënuar të Putinit është edhe aeroplanmbajtësja, Admiral Kuznetsov.
Kuznetsov u bë një spektakël kur ajo lundroi pranë Britanisë në vitin 2016, pasi përkundër përpjekjeve të Putinit për ta modernizuar flotën e tij në mënyrë sipërfaqësore, për këtë aeroplanmbajtëse ishin marrë të gjitha masat për tërheqjen e saj në rast se përjetonte ndonjë prishje.
Humbja e Moskvës do të jetë një goditje e madhe për prestigjin e Rusisë dhe operacionet e saj ushtarake në Ukrainë.
Deri më tani Rusia ka pësuar humbje katasrofike në Ukrainë, duke humbur gati 20,000 trupa, pothuajse 3,000 tanke dhe rreth 300 avionë.
Si fillimi Putini kishte pritur që ai mund të marshonte nëpër Ukrainë pa shumë luftë - por në realitet rusët janë përballur me një rezistencë të guximshme ukrainase. Ai kishte besuar marrëzisht se fitorja do të ndodhte brenda pak ditësh por përkundrazi kjo luftë vazhdon të jetë e ndezur për javë të tëra tani.
Ndërsa, Vladimir Putin, ka vazhduar ta mbrojë luftën duke e cilësuar si “mision fisnik” dhe premtoi se do të vazhdojë “operacionin”, edhe në mes të akuzave në rritje për krime lufte.
Ndërkohë, Ukraina po vazhdon të bëjë thirrje për ndihmë për pajisje ushtarake nga Perëndimi. E edhe pse ka pasur shumë dërgesa deri tani, liderët botërorë dhe NATO-ja mbeten të frikësuar për të ofruar më tepër, ngase mund të rrezikojnë një luftë të hapur me Rusinë dhe potencialisht Luftën e Tretë Botërore.