Si po e përdor Putin Kosovën për të ‘legjitimuar’ pushtimin e Ukrainës lindore
Që nga fillimi i agresionit rus mbi Ukrainë, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, por edhe zyrtarë të tjerë, kanë përmendur vazhdimisht Kosovën. Madje, në shumë raste ata kanë vazhduar të theksojnë se intervenimi i NATO-së kundër Jugosllavisë në vitin 1999, ishte i kundërligjshëm dhe një fyerje poshtëruese për të cilën rusia duhet të hakmerret.
Madje, edhe para fillimit të luftës në Ukrainë, Putin shfrytëzoi sulmet e NATO-s në ndihmë të Kosovës, si analogji për të justifikuar agresionin që do të ndërmerrte më pas. Në fjalimin e 21 shkurtit, ‘cari’ rus solli ndërmend sulmet ajrore të NATO-së kur shaplli njohjen nga Rusia të Republikave Popullore të Luhanskut dhe Donetskut, të cilat me ndihmen e Kremlinit shpallën ‘pavarësinë’ nga Ukraina.
Sipas mendimit të Putinit, NATO ‘sajoi një gjenocid të rremë’ në Kosovë për të justifikuar ndërhyrjen e saj 23 vite më parë. Kjo analogji u shfrytëzua jo vetëm për të krijuar një precedent, por edhe për të dërguar një mesazh. Nëse Perëndimi mund të ricaktojë kufijtë për Kosovën, atëherë edhe Kremlini mund të ricaktojmë kufijtë për Republikat Popullore të Donetskut dhe Luhanskut në Ukrainën lindore.
Së fundmi, në një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, presidenti rus Vladimir Putin u përpoq të nxjerrë një analogji të pabazuar midis të ashtuquajturës Republika Popullore e Donetsk dhe Luhansk dhe opinionit këshilldhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Një paralale e tillë, zgjoi interpretime të ndryshme, mes të cilave se Kremlini në mënyrë indirekte njohu pavarësinë e Kosovës, të cilën ende nuk e pranon Serbia, një aleat i kahmotshëm i Rusisë.
Madje, për këtë gjë shumica e mediave serbe të afërta me presidentin Aleksandër Vuçiq i kanë kushtuar titujt e tyre kritikave ndaj Putinit rreth deklaratave të tij për Kosovën. Nuk ngurruan ta quajnë ‘goditje me thikë pas shpine’, duke shtuar se Putin po luan me çështjen e Kosovës.”
“Putin njeh Kosovën”, “Festë në Prishtinë, Zagreb dhe Sarajevë për shkak të deklaratës së Putinit”, ishin disa nga titujt e “Blic”, “Kurir”, “Inferomer” e të tjera gazeta serbe.
“Unë personalisht kam lexuar të gjitha dokumentet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për rastin e Kosovës, më kujtohet shumë mirë vendimi i GJND-së që thotë se në ushtrimin e të drejtës për vetëvendosje, një territor i caktuar i çdo shteti nuk është i detyruar të kërkojë leje për ta shpallur sovranitetin tek autoritetet qendrore të vendimit”, ka thënë Putin ditë më parë.
Por, sekretari i OKB-së, Antonia Guterres i rikujtoi Putinit se organizata që ai udhëheq megjithatë nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
“Para së gjithash, Kombet e Bashkuara nuk e kanë njohur Kosovën”, është përgjigjur Guterres në pretendimin e liderit rus.
Megjithatë, Putin vazhdoi linjën e tij të argumentimit, duke vazhduar përmendjen e vendimit të GJND-së.
“Kështu u tha për Kosovën dhe ky është vendim i GJND-së. Të gjithë e mbështetën këtë vendim. Nëse është ashtu, atëherë Donetsku dhe Luhansku kanë të drejtën e njëjtë ta shpallin pavarësinë e tyre dhe të mos marrin leje nga organet qendrore të Ukrainës, pasi është krijuar precedenti”, ka shtuar ai.
Putini, nga ana tjetër, këmbënguli, duke përmendur opinionin këshilldhënës të GJND-së për ligjshmërinë e pavarësisë e Kosovës për të legjitimuar pushtimin e Donetskut dhe Luhanskut, dy enklavat separatiste në Ukrainën lindore, pavarësinë e të cilave Rusia ka muaj që e ka njohur.
Ndryshe, lufta në Ukrainë ende po vazhdon, teksa ka hyre në muajin e tretë të luftimeve. Deri më tani, ka pasur mijëra të vdekur e miliona persona janë zhvendosur nga lufta, fundi i sëcilës ende nuk po shihet në horizont.