Si ndryshoi jeta në Rusi pas 3 muajsh luftë? - NACIONALE

Si ndryshoi jeta në Rusi pas 3 muajsh luftë?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kur Vladimir Putin deklaroi se do të nisë pushtimin e Ukrainës, lufta dukej shumë larg territorit rus.

Megjithatë, brenda shumë pak ditësh, konflikti arriti edhe në shtëpi – jo me raketa dhe mortaja, por në një formë të papritur me sanksione të mëdha nga qeveritë perëndimore dhe me ndëshkime ekonomike nga kompanitë.

E tre muaj pas pushtimit të 24 shkurtit, shumë rusë të zakonshëm janë shokuar nga këto goditje në jetesën e tyre. Qendrat e mëdha tregtare të Moskës dikur të pushtuara nga shitësit perëndimorë, janë shndërruar në hapësira të frikshme vitrinash të mbyllura.

McDonald's – hapja e të cilit në Rusi në vitin 1990 ishte një fenomen kulturor, një komoditet modern i shndritshëm që vinte në një vend të zymtë të rënduar nga zgjedhje të kufizuara, u tërhoq nga Rusia tërësisht si përgjigje ndaj pushtimit të saj në Ukrainë. IKEA poashtu, mishërimi i komoditeteve moderne të përballueshme. Pra, papritmas brenda një kohe shumë të shkurtër dhjetëra mijëra vende pune dikur të sigurta tani janë vënë në pikëpyetje.

Pavarësisht investimeve të tyre të mëdha, nga Rusia u tërhoqën edhe lojëtarët kryesor industrialë, përfshirë gjigantët e naftës BP dhe Shell, si dhe prodhuesi i automjeteve Renault.

E ndërsa kompanitë shumëkombëshe po largoheshin nga vendi edhe mijëra rusë të frikësuar nga lëvizjet e ashpra të qeverisë së re të lidhura me luftën që ata e shihnin si një zhytje në totalitarizëm të plotë, po iknin gjithashtu. Frika se Kremlini do të impononte ndonjë drafr të detyrueshëm për ushtri, edhe mijëra të rinjë mund të kenë ikur nga vendi.

Por këtë radhë, ikja ishte bërë shumë më e vështirë se dikur - 27 vendet e Bashkimit Evropian, së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë ndaluan fluturimet për dhe nga Rusia. Kryeqyteti estonez i Talinit, dikur një destinacion i lehtë i fundjavës që zgjaste 90 minuta nga Moska, papritur u bë një vend që duheshin të paktën 12 orë për të arritur përmes një rruge nga Stambolli.

Për rusët janë ngushtuar edhe qasjet në internet dhe media sociale. Në fund të muajit mars, Rusia ndaloi Facebook dhe Instagram dhe mbylli aksesin në faqet e internetit të mediave të huaja, duke përfshirë BBC, Zërin e Amerikës të financuar nga qeveria amerikane dhe Radio Evropa e Lirë/Radio Liberty si dhe transmetuesin gjerman Deutsche Ëelle.

E pasi autoritetet ruse miratuan një ligj që kërkonte deri në 15 vjet burgim për "lajme të rreme" rreth luftës, shumë media të rëndësishme të pavarura të lajmeve u mbyllën ose pezulluan operacionet. Në to përfshihen stacioni radiofonik Ekho Moskvy dhe Novaya Gazeta.

Edhe pse e vështirë për t’u matur, kostoja psikologjike e represioneve, kufizimeve dhe zvogëlimit të mundësive mund të jetë e lartë për rusët e zakonshëm. Megjithëse disa sondazhe të opinionit publik në Rusi sugjerojnë se mbështetja për luftën në Ukrainë është e fortë, rezultatet ka të ngjarë të anojnë nga të anketuarit që qëndrojnë të heshtur, të cilët janë të kujdesshëm në shprehjen e pikëpamjeve të tyre të vërteta.

Andrei Kolesnikov i Qendrës së Moskës Carnegie shkroi në një koment se shoqëria ruse tani është e kapluar nga një "nënshtrim agresiv" dhe se degradimi i lidhjeve shoqërore mund të përshpejtohet.

“Diskutimi po bëhet gjithnjë e më i gjerë. Mund ta quash “tradhtar” bashkatdhetarin tënd që ka një mendim tjetër - dhe ta konsiderosh si një person inferior. Ju, si zyrtarët më të lartë shtetërorë, mund të spekuloni lirshëm dhe me qetësi mbi perspektivat e luftës bërthamore. Kjo është diçka që sigurisht nuk u lejua kurrë në kohët sovjetike gjatë Pax Atomica, kur të dy palët e kuptuan se dëmi që pasoi ishte krejtësisht i paimagjinueshëm”, shkroi ai.

"Tani ai mirëkuptim po zbehet dhe kjo është një tjetër shenjë e katastrofës antropologjike me të cilën po përballet Rusia," tha ai.

Por, pasojat ekonomike ende nuk janë shfaqur plotësisht.

Në ditët e para të luftës, rubla ruse e humbi gjysmën e vlerës. Por përpjekjet e qeverisë për ta mbështetur atë në fakt i kanë ngritur vlerën më lartë se niveli që kishte përpara pushtimit.

Por për sa i përket aktivitetit ekonomik, "kjo është një histori krejtësisht e ndryshme", tha Chris Weafer, një analist veteran i ekonomisë ruse në Macro-Advisory.

“Ne shohim përkeqësim të ekonomisë tani në një gamë të gjerë sektorësh. Kompanitë po paralajmërojnë se po u mbarojnë inventarët e pjesëve të këmbimit. Shumë kompani i vënë punëtorët e tyre në punë me kohë të pjesshme dhe të tjerët po paralajmërojnë se duhet të mbyllen plotësisht. Pra, ekziston një frikë e vërtetë se papunësia do të rritet gjatë muajve të verës, se do të ketë një rënie të madhe në konsum dhe shitje me pakicë dhe investime," tha ai për Associated Press.

Rubla relativisht e fortë, sado inkurajuese që mund të duket, gjithashtu paraqet probleme për buxhetin kombëtar, tha Weafer.

“Ata i marrin të ardhurat e tyre në valutë të huaj nga eksportuesit dhe pagesat e tyre janë në rubla. Pra, sa më e fortë të jetë rubla, atëherë do të thotë aq më pak para që ata në të vërtetë duhet të shpenzojnë. Kjo gjithashtu i bën eksportuesit rusë më pak konkurrues, sepse ata janë më të shtrenjtë në skenën botërore."

Nëse lufta zgjatet, nga Rusia mund të largohen edhe më shumë kompani.

Weafer sugjeroi që ato kompani që vetëm kanë pezulluar operacionet mund t'i rifillojnë punën nëse arrihet një armëpushim dhe marrëveshje paqeje për Ukrainën.

“Nëse ecni nëpër qendrat tregtare në Moskë, mund të shihni se shumë nga dyqanet e modës, grupet e biznesit perëndimor, thjesht i kanë lëshuar grilat. Raftet e tyre janë ende plot, dritat janë ende të ndezura. Ato thjesht nuk janë të hapur. Pra, ato nuk janë tërhequr ende. Po presin të shohin se çfarë do të ndodhë më pas”, shpjegoi ai.

Weafer tha se, këto kompani së shpejti do të detyrohen të zgjidhin ngërçin në të cilin ndodhen bizneset e tyre ruse.

“Tani po shkojmë në fazën ku kompanive ka filluar t'u mbarojë koha, ose ndoshta durimi,” tha ai.

Associated Press.

Lajme të ngjashme