Shumë reagime në Izrael, Bideni akuzohet se po e ndihmon Hamasin
Kërcënimi i presidentit amerikan, Joe Biden, se Izraelit do t’i pezullohen disa dërgesa armësh në rast të një ofensive të planifikuar në Rafah të Gazës u prit me reagime të menjëhershme nga figura qeveritare izraelite të enjten, të cilat dhanë shenjë se ushtria do të vazhdojë me planin e vet pavarësisht paralajmërimit të Bidenit.
Komentet e Bidenit gjithashtu nxitën kritika të ashpra kundër kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, nga kryeopozitari Yair Lapid për atë që ai e quajti “menaxhim i dështuar” i lidhjeve me Uashingtonin nga ana e Qeverisë, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Në ShBA, disa grupe hebraiko-amerikane dhe ligjvënës amerikanë dolën kundër paralajmërimit të presidentit amerikan. Ish-presidenti Donald Trump e akuzoi pasardhësin e tij për anim me “terroristët”.
Si reagim fillestar nga qeveria izraelite, ministri i Jashtëm, Israel Katz, në rrjetin X shkroi se “Izraeli do të vazhdojë që ta luftojë Hamasin deri në shkatërrimin e tij”. “Nuk ka luftë më të drejtë se kjo” – shtoi kryediplomati izraelit, pa iu referuar drejtpërdrejt komenteve të Bidenit.
Ministri i Financave, Bezalel Smotrich, deklaroi se kundërshtimi amerikan vetëm do ta rigjallërojë zotimin e Izraelit për ta eliminuar Hamasin.
“Ne duhet ta vazhdojmë këtë luftë deri në fitore, pavarësisht nga, dhe deri në një masë saktësisht për shkak të kundërshtimit të administratës së Bidenit dhe ndalimit të dërgesave të armëve. Ne thjesht nuk kemi zgjedhje tjetër që nuk i rrezikon ekzistencën dhe sigurinë tonë” – tha ai në një deklaratë.
Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, kryetari i partisë së të djathtës ekstreme, Otzma Yehudit, shkroi shkurt në rrjetin X: “Hamasi e dashuron Bidenin”, me simbolin e zemrës së kuqe në vend të foljes.
Hamas ❤️Biden
— איתמר בן גביר (@itamarbengvir) May 9, 2024
Në Nju-Jork, ambasadori izraelit në OKB, Gilad Erdan, komentet e Bidenit i quajti “të vështira dhe shumë zhgënjyese” dhe shprehu shqetësim se ato do të interpretohen nga Irani, Hamasi e Hezbollahu si “diçka që u jep atyre shpresë për të arritur sukses”.
Të mërkurën në mbrëmje në televizionin CNN, Bideni njoftoi se administrata e tij do t’ia ndërpresë Izraelit ofrimin e disa armëve, nëse ky shtet nis operacion tokësor në pjesët e populluara të qytetit Rafah në Gaza.