Shuhet shkencëtarja e famshme çeke e fizikës bërthamore, Dana Drábová
Dana Drábová, drejtoresha e popullarizuar e agjencisë çeke për mbikëqyrjen e energjisë bërthamore për më shumë se një çerek shekulli gjatë periudhës kur vendi është mbështetur shumë tek energjia bërthamore, ka vdekur në moshën 64-vjeçare.
Drábová, fizikane bërthamore dhe eksperte e mirënjohur e energjisë bërthamore, ishte drejtoreshë e Zyrës Shtetërore për Siguri Bërthamore nga viti 1999 deri në vdekjen e saj të hënën. Ky institucion tha se Drábová vdiq nga një sëmundje serioze, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Ajo publikonte raporte të përditshme në rrjetin X për rrezatimin në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit të plotë rus në shkurt të vitit 2022. Postimin e fundit e bëri vetëm disa orë para vdekjes.
“Raportimet ditore do të marrin pushim. Situata me rrezatimin në Ukrainë mbetet normale” – shkroi dikush në profiling e shkencëtares tashmë të ndjerë.
Pak kohë pasi zonja Drábová ishte emëruar në pozitën e drejtoreshës së Zyrës Shtetërore për Siguri Bërthamore më 1999, Çekia ishte ballafaquar me kritika të forta nga Qeveria e Austrisë dhe me protesta nga aktivistët kundër energjisë bërthamore brenda vendit për shkak të një centrali të ri të energjisë bërthamore në Temelin, afër kufirit me Austrinë. Vjena kishte thënë se ky central mund të mos ishte i sigurt.
Për vdekjen e Drábová-s shprehën ngushëllime kryeministri në largim i Çekisë, Petr Fiala, dhe fituesi i zgjedhjeve parlamentare të javës së kaluar, Andrej Babiš.