Shtohen rastet e fruthit në Teksas, qeveria federale dërgon përforcime stafi
Departamenti i Shëndetësisë në Teksas raportoi 561 raste të fruthit në këtë shtet amerikan të martën, rritje prej 20 rastesh në krahasim me të premten e javës së kaluar, përderisa qeveria federale tha se do të dërgonte shtatë persona në Teksas për ta ndihmuar luftimin e përhapjes së sëmundjes së fëmijërisë.
Rastet në distriktin Gaines, që është qendra e përhapjes, shkuan në 364, nga 355 sa ishin raportuar të premten, tha Departamenti i Shërbimeve Shëndetësore Shtetërore i Teksasit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Dr. David Sugerman nga Divizioni i Sëmundjeve Virale në Qendrat për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), të martën dha një përditësim të rrallë rreth përhapjes së fruthit në Shtetet e Bashkuara dhe për reagimin ndaj kësaj situatë gjatë një takimi të një paneli ekspertësh që e këshillojnë CDC-në.
Ai tha se reagimi po pengohet nga anulimi i rreth 11 miliardë dollarëve në grantet federale për shtetet amerikane, të cilat ishin ndarë gjatë pandemisë Covid-19 dhe të cilat po përdoreshin për t’i përcjellë, parandaluar dhe kontrolluar sëmundjet ngjitëse, përfshirë fruthin dhe gripin e shpezëve.
“Po mbledhim copëza për t’i gjetur burimet dhe personelin e nevojshëm për t’u ofruar mbështetje Teksasit dhe juridiksioneve të tjera” – tha Dr. Sugerman.
Sipas tij, Qendrat për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve kanë dislokuar 15 anëtarë personeli në Teksas për të reaguar ndaj përhapjes së fruthit dhe për të ofruar asistencë teknike në zonën e prekur nga 4 marsi deri më 1 prill. Ai shtoi se agjencia do të dërgojë një ekip tjetër të martën për të ndihmuar rreth menaxhimit të situatës.
CDC-ja ka ofruar sisteme për kontrollimin dhe parandalimin e infeksioneve për shtatë spitale dhe i ka rishikuar strategjitë e shkollave për kontrollimin e infeksioneve. Agjencia gjithashtu po u ofron asistencë teknike nga distanca disa departamenteve shëndetësore shtetërore, tha Sugerman./Nacionale