Shteti që po ia sheh hairin luftës në Ukrainë - NACIONALE

Shteti që po ia sheh hairin luftës në Ukrainë

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Ekonomia e Kirgizisë u rrit për 10 për qind në nëntë muajt e parë të këtij viti në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Prodhimi vendës bruto (GDP) shkoi në rreth 13,7 miliardë dollar, tha të mërkurën komisioni shtetëror i statistikave.

Sipas të dhënave zyrtare, rritja ekonomike është nxitur nga ndërtimi, industria, tregtia dhe minierat. Sektori i ndërtimit u rrit për gati 30 për qind, ndërsa tregtia me shumicë dhe pakicë për 11 për qind. Sidoqoftë, edhe borxhi publik shkoi në 8,4 miliardë dollarë deri më 31 korrik, 1,9 miliard dollar më shumë se një vit më parë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Shteti malor me shumicë myslimane ka qenë tradicionalisht i varur nga imigrantët që punojnë në Rusi, por ka përjetuar rritje të shpejtë ekonomike, pasi fillimi i luftës në Ukrainë dhe sanksionet perëndimore ndaj Rusisë shkaktuan ridrejtim të zinxhirëve të furnizimit përmes vendeve të treta.

Azamat Akeneev, ekspert i ekonomisë në Institutin Kombëtar për Studime Strategjike, tha se Kirgizia, e cila ndodhet në një bashkim doganor me Rusinë, po i lë prapa vetes vendet fqinje falë rolit të saj në anashkalimin e sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë.

“Për shkak të sanksioneve, endi është bërë një lloj qendre “offshore” për kompanitë ruse që e përdorin sistemin financiar të Kirgizisë për t’i zgjidhur problemet e tyre” – eksperti i ekonomisë.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe u kanë vënë sanksione disa bankave të Kirgizisë që i akuzojnë për lehtësimin e anashkalimit të sanksioneve nga entitetet ruse.

Në Kirgizi pritet të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare më 30 nëntor. Analistët thonë se qëllimi i tyre është fuqizimi i autoritetit të presidentit Sadyr Japarov, politikan populist dhe nacionalist që ka ndërmarrë veprime shtypëse ndaj opozitës në atë që dikur ishte shteti më demokratik në Azinë Qendrore./Nacionale

Lajme të ngjashme