Shteti Islamik publikon një video: Pretendohet se tregon sulmin në Rusi - NACIONALE

Shteti Islamik publikon një video: Pretendohet se tregon sulmin në Rusi

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Shteti Islamik raportohet që përmes mediumit të lidhur me ta, ka shpërndarë një video grafike në të cilën pretendohet të tregohet sulmi i së premtes në Moskë, e që sipas tyre, është regjistruar nga një prej sulmuesve.

Kjo, siç shkruan CNN, sugjeron që autorët kishin një lidhje të drejtpërdrejtë me ISIS-in, në mënyrë që ta dërgonin videon.

CNN e ka lokalizuar videon që është bërë në sallën e koncerteve dhe ka parë që të dhënat identifikuese të saj janë fshirë.

Videoja, e cila është e gjatë rreth 90 sekonda, tregon katër sulmues me fytyra të turbullta dhe zëra të shrëmbëruar, në atë që duket të jetë kompleksi i sallës Crocus City, ku edhe ndodhi sulmi.

Më pas, tregohet një sulmues duke e sinjalizuar një person tjetër të armatosur, i cili kalon pranë një dere ku ishin fshehur njerëz dhe hap zjarr ndaj tyre.

Po ashtu, medium i njohur raporton se trupa dhe gjak mund të shihen në tokë, si dhe njëri nga sulmuesit duke ia prerë fytin një personi të shtrirë në shpinë.

Videoja përfundon me katër sulmuesit duke ecur brenda ndërtesës, derisa në largësi mund të shihet edhe tym.

Vlen të theksohet se numri i viktimave nga sulmi në Moskë ka shkuar mbi 130. Shteti Islamik – ISIS e ka marrë përgjegjësinë mbi sulmin vdekjeprurës.

Ndërkohë, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, foli të shtunën pas sulmit masiv të së premtes mbrëma afër Moskës, ku u vranë 115 persona, duke thënë se personat përgjegjës do të ndëshkohen.

Kreu i Kremlinit i falënderoi shërbimet emergjente dhe shërbimet speciale për përpjekjet e tyre pas sulmit të së premtes në një sallë koncertesh, raportoi televizioni BBC.

Më tej, ai tha se sulmuesit u munduan që të iknin në Ukrainë dhe se masat e sigurisë janë shtuar. Të dielën e shpalli ditë zie dhe premtoi se të gjithë ata që janë përgjegjës do të ndëshkohen.

Sipas tij, të gjithë sulmuesit janë gjetur dhe tashmë janë ndaluar. Ai nuk përmendi ndonjë numër.

Putini e quajti sulmin “akt terrorist barbar”. “Armiqtë tanë nuk do të na përçajnë” – shtoi ai.

Lajme të ngjashme