Shtetet e Bashkuara e akuzojnë Kinën se ka kryer një test sekret bërthamor - NACIONALE

Shtetet e Bashkuara e akuzojnë Kinën se ka kryer një test sekret bërthamor

3 javë më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara e akuzuan Kinën të premten se kanë kryer një test sekret bërthamor në vitin 2020, duke bërë thirrje për një traktat të ri e më të gjerë për kontrollimin e armëve, në të cilin do të duhej të merrnin pjesë Kina e Rusia.

Akuzat e shprehura në një konferencë globale të çarmatosjes e vunë në pah tensionin serioz mes Uashingtonit e Pekinit në një moment thelbësor sa i përket kontrollit të armëve bërthamore, një ditë pas skadimit të afatit të traktatit me të cilin kufizohej dislokimi i kokave luftarake dhe raketave nga Shtetet e Bashkuara e Rusia, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Mund të zbuloj se qeveria amerikane është e vetëdijshme se Kina ka kryer teste shpërthyese bërthamore, përfshirë përgatitjen për teste me prodhime të dizajnuara në qindra tonë” – tha Thomas DiNanno, nënsekretar i Shtetit për Kontrollin e Armëve dhe Sigurinë Ndërkombëtare, në Konferencën e Çarmatosjes në Gjenevë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në tetor e urdhëroi ushtrinë amerikane që menjëherë ta riniste procesin e saj për testimin e armëve bërthamore, duke thënë se shtete të tjera po e bënin këtë gjë, pa përmendur ndonjë hollësi apo pa cekur ndonjë shtet.

Ambasadori i Kinës për çështje të çarmatosjes, Shen Jian, nuk e adresoi drejtpërdrejt akuzën e DiNannos, por tha se Pekini gjithmonë ka vepruar me kujdes e përgjegjësi rreth çështjeve bërthamore.

“Kina vëren se ShBA-ja vazhdon në deklaratën e saj që ta zmadhojë të ashtuquajturin kërcënim bërthamor nga Kina. Kina në mënyrë të vendosur kundërshton narrativa të tilla të rreme” – shtoi ai./Nacionale

Lajme të ngjashme