Shtetet arabe do t’i japin Trumpit një plan për Gazën brenda javësh, thonë burimet jordaneze - NACIONALE

Shtetet arabe do t’i japin Trumpit një plan për Gazën brenda javësh, thonë burimet jordaneze

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministrat e jashtëm të vendeve arabe po synojnë që të udhëtojnë në Uashington “brenda javësh” për t’i paraqitur presidentit amerikan, Donald Trump, një propozim “solid” për rindërtimin e Gazës pa e zhvendosur popullsinë palestineze, i thanë televizionit CNN disa burime zyrtare jordaneze.

Më herët këtë muaj, presidenti amerikan propozim që 2,1 milionë palestinezë të dëboheshin nga Gaza dhe enklava të transformohej në një “rivierë” që do të ishte në pronësi të Shteteve të bashkuara, plan që nxiti kundërshtime në mbarë Lindjen e Mesme dhe refuzim të prerë nga udhëheqësit rajonalë, raporton televizioni CNN.

Udhëheqësit arabë pritet të mblidhen për një samit më të gjerë në Kajro më 4 mars, ku pritet të lëshohet një “plan” për Gazën. Kryediplomatët arabë më pas pritet të udhëtojnë drejt kryeqytetit amerikan në javët në vijim për t’ia dorëzuar propozimin administratës së Trumpit, thanë burimet.

Zyrtarët arabë duan që të sigurohen që ky të jetë “një plan solid” para se ta paraqesin para Trumpit, tha njëri nga burimet.

Përpos hartimit të një plani për rindërtimin e enklavës së shkatërruar pa e zhvendosur popullsinë, kundërpropozimi arab gjithashtu do të adresojë çështje kyçe si qeverisja e Gazës pas luftës, reformimi i autoritetit palestinez dhe dislokimi i forcave paqeruajtëse ose forcave që e zbatojnë paqen brenda rripit, thanë burimet.

Nuk është e qartë se nga cilat vende do të përbëhej kjo forcë paqeruajtëse.

Jordania dhe Egjipti – dy shtete për të cilat Trumpi ka thënë se janë kandidate për pranimin e palestinezëve – refuzojnë çfarëdo zhvendosjeje të popullsisë së Gazës dhe e konsiderojnë këtë si çështje të sigurisë kombëtare.

“Pozicioni ynë është i vendosur dhe i qartë dhe ne nuk do të pranojmë kurrfarë kërcënimi ndaj sigurisë sonë kombëtare” – tha një zyrtar, duke e cilësuar zhvendosjen e palestinezëve si “vijë të kuqe” për Jordaninë./Nacionale

Lajme të ngjashme