Shtëpia e Bardhë tregon se kush e urdhëroi sulmin e dytë ndaj barkës së dyshimtë nga Venezuela - NACIONALE

Shtëpia e Bardhë tregon se kush e urdhëroi sulmin e dytë ndaj barkës së dyshimtë nga Venezuela

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Shtëpia e Bardhë tha të hënën se sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Pete Hegseth, kishte autorizuar një admiral që të kryente sulme të përsëritura që lanë të vrarë 11 njerëz në një barkë nga Venezuela që dyshohej se po transportonte lëndë të paligjshme narkotike në shtator.

Gazeta “The Washington Post” raportoi para disa ditëve se ishte dhënë urdhër për një sulm të dytë për t’i eliminuar dy të mbijetuarit nga sulmi i parë dhe që të respektohej urdhri i Hegsethit që të gjithë njerëzit në barkë të vriteshin, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha të dielën se nuk do të kishte dashur një sulm të dytë ndaj barkës dhe tha se sekretari Hegseth kishte mohuar se kishte dhënë urdhër të tillë.

Megjithatë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha të hënën se Hegsethi e kishte autorizuar admiralin Frank Bradley që t’i kryente këto sulme.

“Sekretari Hegseth e autorizoi admiralin Bradley që t’i kryente këto sulme kinetike. Admirali Bradley punoi brenda autoritetit të tij dhe ligjit duke e drejtuar angazhimin për t’u siguruar që barka të shkatërrohej dhe rreziku ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës të eliminohej” – tha ajo.

Javën e kaluar, gazeta “Nacionale” publikoi një raport të televizionit CNN, i cili, njësoj si gazeta “The Washington Post”, tha se ushtria amerikane kishte kryer sulm për së dyti për t’i vrarë të mbijetuarit e sulmit të parë.

Lajme të ngjashme