CNN: Ushtria amerikane kreu sulm për së dyti për t’i vrarë të mbijetuarit në barkën e dyshimtë të drogës
Ushtria amerikane kreu një sulm të dytë ndaj një barke të dyshuar për transportim të drogës që po operonte në Detin e Karaibeve më 2 shtator, pasi përmes sulmit të parë nuk ishin vrarë të gjithë personat që ndodheshin në barkë, i ka thënë televizionit CNN një burim i afërt me çështjen.
Sulmi i shtatorit ishte i pari në atë që do të bëhej varg i rregullt i sulmeve ndaj barkave të dyshuara të drogës, raporton televizioni amerikan.
Përderisa sulmi i parë dukej se e kishte bërë jofunksionale barkën dhe kishte shkaktuar vdekje, ushtria vlerësoi se aty kishte të mbijetuar, sipas burimeve. Me anë të sulmit të dytë u vra pjesa tjetër e ekuipazhit, duke e çuar në 11 numrin e përgjithshëm të të vdekurve dhe duke e shkaktuar përmbytjen e anijes.
Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, e kishte urdhëruar ushtrinë para operacionit që të sigurohej që përmes sulmit të vriteshin të gjithë personat në barkë, por nuk është e qartë nëse ai e dinte që kishte të mbijetuar para sulmit të dytë, tha njëri nga burimet.
Sulmi dhe vdekjet ishin njoftuar nga presidenti Donald Trump ditën e sulmeve, por administrata amerikane kurrë nuk ka pranuar publikisht se janë vrarë të mbijetuar, transmeton gazeta "Nacionale".
Trumpi tha të enjten se veprimet në terren tokësor për ndaljen e rrjeteve të dyshuara të trafikimit të drogës në Venezuelë mund të “fillojnë shumë shpejt”, në kohën e pyetjeve rreth ligjshmërisë së fushatës së ushtrisë amerikane përreth Amerikës Latine. Zyrtarët amerikanë kanë pranuar se nuk i dinë identitetet e secilit person në këto barka para se ato të goditen.
Personat me informata për sulmin “me dy goditje” thanë se ishin të shqetësuar se ky rast mund ta shkelë ligjin për konflikt të armatosur, me të cilin ndalohet ekzekutimi i një luftëtari armik që është “hors de combat”, që do të thotë se është nxjerrë nga luftimi për shkak të plagosjes ose dorëzimit.