Shtatë të vdekur nga sulmi rus në një shtypshkronjë të Ukrainës
Rusia e goditi me raketa Kharkivin e Ukrainës të enjten, duke lënë të vrarë shtatë persona në një shtypshkronjë, përderisa presidenti Volodymyr Zelensky u ankua se aleatët perëndimorë nuk kanë ofruar përkrahje të mjaftueshme ushtarake për t’iu kundërvënë sulmve ruse.
Forcat ruse e kanë goditur me muaj qytetin verilindor të Ukrainës dhe nisën një sulm tokësor në veri të rajonit përreth tij më 10 maj, ofensivë për të cilën Kievi thotë se ka ngecur në dy vija të sulmit tash për tash, raporton agjencia “Reuters”.
Autoritetet thanë se Rusia hodhi rreth 15 raketa drejt qytetit dhe qytezës afër tij, Liubotyn, duke vënë në shënjestër kryesisht infrastrukturë të transportit dhe një shtypshkronjë të madhe në Kharkiv, ku ndodheshin rreth 50 persona në kohën e sulmit.
Tymi doli nga një vrimë në kulmin e ndërtesës. Punëtorët e dërrmuar të ekipeve emergjente i nxorën trupat e viktimave në qese nga ndërtesa. Faqe të djegura librash ishin shpërndarë në tokë.
“Nuk ka objekte ushtarake as këtu, as afër” – u tha gazetarëve në vend të ngjarjes guvernatori rajonal, Oleh Syniehubov.