Shtatë të vdekur nga një shpërthim në Pakistan, përfshirë pesë nxënës - NACIONALE

Shtatë të vdekur nga një shpërthim në Pakistan, përfshirë pesë nxënës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Të paktën shtatë njerëz, përfshirë pesë nxënës, u vranë dhe 23 të tjerë u lënduan nga një shpërthim të premten në jugperëndim të Pakistanit, tha një zyrtar policor.

“Në shënjestër ishte një furgon policie që po shkonte për të marrë një ekip të [vaksinimit kundër] poliomielitit” – tha zyrtari policor, Rehmatullah. Në mesin e të vdekurve ishte edhe një polic, raporton agjencia “Reuters”.

Shpërthimi erdhi nga një pajisje e improvizuar, që ishte vendosur në një motoçikletë të parkuar afër një shkolle për vajza në qytezën Mastung, shtoi zyrtari.

Asnjë grup nuk e mori përgjegjësinë për sulmin. Kryeministri Shehbaz Sharif e dënoi sulmin përmes një deklarate.

Pakistani po ballafaqohet me shtim të sulmeve nga militantët në veriperëndim të vendit dhe rritje të kryengritjes separatiste në jug. Të martën, një polic u vra në një sulm ndaj një zyre shëndetësore që i menaxhon fushatat e vaksinimit derë më derë kundër poliomielitit.

Pakistani dhe Afganistani mbeten dy shtetet e vetme ku poliomieliti është ende endemi. Militantët islamikë më parë i kanë vënë në shënjestër ekipet e vaksinimit, duke përhapur teori të rreme konspirative se vaksinimi është pjesë e një programi perëndimor për sterilizim.

Lajme të ngjashme