Shtatë të vdekur nga cikloni në Indi, fillon evakuimi i njerëzve edhe në Pakistan
Katër djem u mbytën në det me ujë të trazuar afër qytetit indian, Mumbai, përderisa India dhe Pakistan e filluan evakuimin e njerëzve nga zonat bregdetare, dy ditë para se një ciklon pritet të arrijë në territorin tokësor të këtyre vendeve.
E klasifikuar si stuhi shumë e fuqishme ciklonike, cikloni “Biparjoy” pritet të arrijë në territor tokësor të enjten në mbrëmje mes provincës indiane, Gujarat, dhe Karaçit në jug të Pakistanit, raporton agjencia “Reuters”.
Meteorologët kanë parashikuar se stuhia mund të vijë me erë të vazhdueshme maksimale prej 125 deri në 135 kilometrash në orë, ndërsa erërat e shkurtra pritet ta arrijnë shpejtësinë deri në 150 kilometra në orë.
“Katër djem u mbytën në ujë në plazhin Juhu të hënën në mbrëmje. Deri më tani, i kemi gjetur trupat e dy personave, ndërsa kërkimi është ende duke vazhduar për dy të tjerë”- tha një zyrtar policor në Mumbai.
Valët e larta në Detin Arabik, të shoqëruara nga reshjet e dendura të shiut dhe era, i goditën zonat bregdetare në Gujarat, duke nxjerrë drurë me rrënjë dhe duke rezultuar në rrëzimin e një muri që la të vdekur tre persona në distriktet Kutch dhe Rajkot, thanë autoritetet.
Pritet që tetë distrikte në Gujaratin bregdetar të preken nga stuhia, tha qeveria rajonale. Peshkimi është pezulluar deri të premten, ndërsa shkollat kanë shpallur pushim.
Në Pakistanin fqinj, trupat paraushtarake dhe autoritetet civile lokale e filluan vendosjen e njerëzve në qendra strehimi dhe në kampe, të cilat janë përgatitur në shkolla dhe në ndërtesa të ndryshme qeveritare, tha Ministrja e Ndryshimit Klimatik, Sherry Rehman.
Anijet dhe barkat janë larguar nga disa zona të bregdetit të Pakistanit, ndërsa spitalet në rajon janë vënë në gjendje të lartë gatishmërie, shtoi ajo.
Rreth 100 mijë njerëz do të evakuohen deri të mërkurën në mëngjes, tha udhëheqësi i Autoritetit Kombëtar për Menaxhimin e Fatkeqësive në Pakistan.
