Shqetësuese: AfD-ja ekstreme e Gjermanisë do të nominojë një kandidat për kancelar - NACIONALE

Shqetësuese: AfD-ja ekstreme e Gjermanisë do të nominojë një kandidat për kancelar

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Alternativa për Gjermaninë, parti e së djathtës ekstreme, tha të mërkurën se synon që të nominojë një kandidat për kancelar për herë të parë për zgjedhjet e vitit 2025, përderisa përkrahja për këtë subjekt politik është rritur në anketa.

Njoftimi për të nominuar një kandidat për kancelar nga AfD-ja erdhi vetëm një ditë pasi agjencia gjermane për inteligjencë të brendshme ua tërhoqi vërejtjen votuesve kundër përkrahjes për këtë parti, raporton agjencia “Reuters”.

E themeluar para një dekade, AfD-ja është ngritur në vendin e dytë në anketa për shkak të shqetësimit të votuesve për recesionin, emigrantët dhe kalimin në ekonomi pa lirim të gazrave të karbonit, thonë analistët politikë.

Partia me dy kryetarë - Tino Chrupalla dhe Alice Weidel – është duke përfituar edhe nga mungesa e besimit të votuesve ndaj koalicionit të çuditshëm trepartiak të kancelarit Olaf Scholz, i cili një pjesë të madhe të muajve të fundit i ka kaluar duke u përplasur publikisht për atë se si të ballafaqohet vendi me këto kriza.

Përkrahja për AfD-në është në nivel rekord, rreth 19 - 20 për qind, prapa konservatorëve opozitarë, të cilët kanë përkrahje prej 27 – 28 për qind, por para ose baras me social-demokratët e kancelarit Scholz dhe dukshëm para dy partnerëve të tij të koalicionit.

Kur u pyet nga televizioni NTV nëse AfD-ja do të emëroj një kandidat për kancelar, njëra ndër kryetaret, Alice Weidel, tha: “Natyrisht, ne do të nominonim edhe pa këta numra të anketave”. Ajo iu shmang pyetjes nëse vetë do të jetë kandidate për kancelare.

Gjasat që një kandidat ose kandidate e AfD-së të bëhet kancelar/e janë shumë të vogla tash për tash, duke e marrë parasysh nevojën që partia do të duhej të formonte qeveri e vetme, sepse të gjitha partitë e tjera tani për tani e kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me të.

Prapëseprapë, gjesti i nominimit të një kandidati do ta tregonte ambicien e partisë më të suksesshme të së djathtës ekstreme në Gjermani që nga periudha e nazistëve, e cila gjithnjë më shumë po e dridh terrenin politik të ekonomisë më të madhe evropiane.

Lajme të ngjashme