Shqetësimet për pasojat e luftës së Rusisë, Biden takon edhe presidenten moldave
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden është takuar të martën në Varshavë edhe me presidenten moldave, Maia Sandu.
Ky takim vjen pak ditë pasi sekretari i Shtetit Antony Blinken tha se SHBA ka "shqetësim të thellë" për përpjekjet e Rusisë për të destabilizuar qeverinë e Moldavisë. Ndërsa, vetë Sandu javën e kaluar tha se Rusia ishte duke planifikuar një grusht shteti në Moldavi.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, gjatë takimit, Biden ka theksuar ndihmën e vazhdueshme të ShBA-së për të “ndihmuar Moldavinë të forcojë qëndrueshmërinë e saj politike dhe ekonomike, duke përfshirë axhendën e reformës demokratike dhe sigurinë energjetike, dhe për të adresuar efektet e luftës së Rusisë kundër Ukrainës”.
Kujtojmë se Moldavia, e vendosur midis Ukrainës dhe Rumanisë, ka qenë më parë pjesë e Bashkimit Sovjetik në fund të Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1991, kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë, u shfaqën një pjesë e vogël e zonave të "konfliktit të ngrirë" në Evropën Lindore, duke përfshirë një zonë përgjatë kufirit të Moldavisë me Ukrainën, e njohur si Transnistria.
Ky territori e shpalli veten një republikë sovjetike në vitin 1990, duke kundërshtuar çdo përpjekje të Moldavisë për t'u bërë një shtet i pavarur ose për t'u bashkuar me Rumaninë. Një vit më pas kur Moldavia u bë e pavarur, Rusia u fut shpejt si një e ashtuquajtur "forcë paqeruajtëse" në Transnistria, duke dërguar trupa për të mbështetur separatistët pro-rusë që ndodheshin atje.
Në kontekstin e luftës sot, enklava separatiste e mbështetur nga Rusia në skajin jugperëndimor të vendit tani mund të paraqesë një rezervë të mundshme për çdo sulm rus drejt perëndimit nga rajoni lindor i Ukrainës Donbas.

