Shpresë për paqe në Sudan, sot në Arabinë Saudite nisin bisedimet mes palëve
Bisedimet e drejtpërdrejta mes palëve të konfliktit në Sudan – ushtria dhe Forcat për Mbështetje të Shpejtë – do të fillojnë të shtunën në Jeddah të Arabisë Saudite, konfirmuan autoritetet saudite dhe amerikane.
Në një deklaratë të përbashkët të Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite mirëpritet “fillimi i bisedave para negociatave” dhe bëhet thirrje për përkrahje të qëndrueshme globale për t’i shuar luftimet, raporton gazeta “The Guardian”.
“Mbretëria e Arabisë Saudite dhe Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje të dyja palëve që t’i marrin në konsideratë interesat e kombit sudanez dhe popullit të tij dhe që në mënyrë aktive të angazhohen në bisedime drejt një armëpushimi dhe drejt përfundimit të konfliktit”- thuhet në deklaratë.
Qindra njerëz kanë vdekur gjatë luftimeve që kanë nisur para gati tri javëve mes ushtrisë së drejtuar nga Abdel Fattah al-Burhani dhe komandantit të Forcave për Mbështetje të Shpejtë, Mohamed Hamdan Daglo.
Disa armëpushime janë arritur që nga fillimi i luftimeve, por asnjëri nuk është respektuar. Ushtria konfirmoi të premten vonë se ka dërguar emisarë në Arabinë Saudite për t’i diskutuar “hollësitë e armëpushimit në procesin e zgjatjes së tij” me armiqtë paramilitarë.
Burhani e ka mbështetur armëpushimin 7-ditor të shpallur të mërkurën, por të premten herët, Forcat për Mbështetje të Shpejtë thanë se do të zgjasin për tri ditë një armëpushim të mëhershëm të ndërmjetësuar nga ShBA-ja dhe Arabia Saudite.
Në deklaratën e këtyre dy vendeve theksohen edhe përpjekjet e shteteve dhe organizatave të tjera për fillimin e bisedimeve, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Emiratet e Bashkuara Arabe, Ligën e Shteteve Arabe, Unionin Afrikan dhe grupet e tjera.
Në kryeqytetin Khartoum, dëshmitarët raportuan për sulme ajrore dhe shpërthime të vazhdueshme të premten, përfshirë luftimet afër aeroportit. Luftimet vazhduan pavarësisht nga një kërcënim për sanksione nga presidenti amerikan, Joe Biden, ndaj atyre që janë përgjegjës për, siç tha ai, kërcënimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit të Sudanit dhe për minimin e tranzicionit demokratik të këtij vendi.

