Arabia Saudite thotë se është duke punuar për armëpushim në Sudan
Arabia Saudite, njëri ndër shumë shtetet e Lindjes së Mesme që kanë dhënë të holla në Sudan viteve të fundit, është duke punuar në aspektin diplomatik për një armëpushim dhe për kthimin e tranzicionit të udhëhequr nga civilët në këtë shtet, ka thënë ambasadori saudit në Mbretërinë e Bashkuar, Khalid bin Bandar.
Arabia Saudite është akuzuar në veçanti për përkrahjen e forcave të armatosura të gjeneralit Burhan. Në nëntor të vitit të kaluar, pas një takimi mes Burhanit dhe princit Mohammed bin Salman, Arabia Saudite tha se do të investonte 3 miliardë dollarë në Sudan. Si anëtare e grupit Quad, ku bëjnë pjesë edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Britania dhe Shtetet e Bashkuara, Arabia Saudite ka ndoshta më së shumti ndikim diplomatik në këtë shtet, raporton gazeta "The Guardian".
Ambasadori saudit i tha Radios BBC: “Kemi qenë duke biseduar për një ndërprerje të përhershme të armiqësive, për dialogun politik me shpresë se rezultati përfundimtar do të jetë një qeveri civile. Tani, kjo nuk është e lehtë. Kjo është faza fillestare e diplomacisë, por fakti që e siguruam këtë zgjatje të armëpushimit është në anën pozitive.”
“Ne kemi marrëdhënie të mira me sa më shumë njerëz që mundemi. Kur angazhoheni me njerëz, pastaj mund ta përdorni këtë me njerëz, kur keni nevojë. Nëse nuk angazhoheni, është shumë vështirë që papritmas ta ndërtoni besimin. Lindjes së Mesme nuk i mungojnë konfliktet. Nuk na duhen më shumë”- shtoi ai.
Kur u pyet nëse është duke u bërë presion të dyja palëve të konfliktit për ta ndarë pushtetin, ambasadori tha: “Ishte shumë herët që të thuhet – është me rëndësi që të përfshihen të gjithë. Nuk mund të zgjidhni një palë dhe t’i thoni: Ju nuk jeni pjesë e zgjidhjes. Secili është i angazhuar.”
Kur u pyet nëse dy palët janë vërtet të interesuara për diplomaci, ai tha: “Qëllimet përfundimtare janë siguria dhe stabiliteti. Nuk ka zgjidhje të përsosur. Do të jetë një përparim i ngjarjeve për të arritur aty ku do të na pëlqente.”
Arabia Saudite ka thënë se ka evakuuar gati 3 mijë persona nga Sudani, përfshirë 119 sauditë dhe 2.872 individë të 80 kombësive të tjera. Procesi i evakuimit nga autoritetet saudite filloi më 24 prill.
