Shpërthime të reja në Krime, Rusia thotë se ishte një akt sabotimi - NACIONALE

Shpërthime të reja në Krime, Rusia thotë se ishte një akt sabotimi

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Një javë pas një sulmi ukrainas në një bazë ushtarake ruse në Krimenë e pushtuar, një seri tjetër shpërthimesh ka goditur një dyqan armësh në një objekt tjetër ushtarak.

Zyrtarët rusë thanë se shpërthimet në zonën Dzhankoi ishin shkaktuar nga një zjarr, përpara se të fajësonin "sabotimin".

Edhe javën e kaluar, një varg shpërthimesh shkatërruan avionë luftarakë rusë në një bazë të Detit të Zi në bregun e Krimesë.

Edhe pse ky sum nuk është pranuar asnjëherë publikisht nga Ukraina, këshilltari i zyrës presidenciale Mykhailo Podolyak e përshkroi incidentin e fundit si "çmilitarizimi në veprim", duke treguar se shpërthimet nuk ishin aksidentale.

Sa i përket sulmit të së martës, Rusia nuk ka dhënë asnjë indikacion për llojin e sabotimit, por shërbimi I sigurisë FSB tha se këtë muaj diversantët ukrainas kishin hedhur në erë gjashtë shtylla të energjisë elektrike brenda vetë Rusisë.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se shpërthimet e së martës në Krimenë veriore ndodhën në një depo të përkohshme municionesh në një bazë pranë fshatit Maiske, duke bërë të ditur se nga sulmi nuk ka pasur viktima “serioze”.

Kujtojmë se, Krimea u kap nga Ukraina dhe më pas u aneksua nga Rusia në fillim të vitit 2014. Ndërsa, kur forcat ruse nisën pushtimin e ri në muajin shkurt, ata përdorën bazat e tyre në gadishull për të kapur zona të mëdha të Ukrainës jugore.

Aktualisht, pushtimi rus është shtrirë në veçanti në dy rajone jugore, Kherson dhe Zaporizhzhia, ndërsa Ukraina është zotuar të nisë një kundërofensivë për të rimarrë këto zona.

Pas sulmit që ndodhi të martën e kaluar, ku u godit një bazë ajrore ruse në Saky, Rusia tha se incidenti ishte aksidental, megjithatë ka pasur dyshime se baza mund të jetë sulmuar nga Ukraina.

Sipas ministrit të Mbrojtjes, që nga qershori, forcat ukrainase kanë përdorur raketahedhës të shumëfishtë të Himars për të goditur deri në 50 depo armësh. Është bërë e ditur poashtu se janë goditur edhe urat në jug të vendit, duke rrezikuar linjat jetike të furnizimit nga Krimea në Kherson.

Megjithatë, mediat ruse sugjerojnë se në sulmet në Krime janë përdorur dronë e jo raketa.

Aftësia e dukshme e ushtrisë së Ukrainës për të arritur aq larg pas linjave të armikut është një turp i madh për rusët. Shpërthimet që ndodhën në Saky ishin të dukshme nga plazhet e afërta, ndërsa videot e postuara më pas në mediat sociale tregonin flukse turistësh që largoheshin nga Krimea, përmes një ure të ndërtuar mbi ngushticën e Kerçit pas aneksimit rus.

Lajme të ngjashme