Shpërthim në një restorant në Kinë, të paktën 31 të vdekur - NACIONALE

Shpërthim në një restorant në Kinë, të paktën 31 të vdekur

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Nëntë persona janë arrestuar për një shpërthim në një restorant në pjesën veriperëndimore të Kinës, nga i cili kanë vdekur të paktën 31 njerëz.

Dyshohet se shpërthimi në qytetin Yinchuan të mërkurën natën u shkaktua nga rrjedhja e gazit, raporton televizioni BBC.

Presidenti kinez, Xi Jinping, ka bërë thirrje për përpjekje të plota gjatë operacionit të shpëtimit dhe për një hetim për shpërthimin.

“Ne duhet ta bëjmë më të mirën tonë për t’i shpëtuar të lënduarit dhe për t’i siguruar familjet e viktimave, për ta identifikuar shkaktarin e aksidentit sa më shpejt që është e mundshme dhe seriozisht ta kërkojmë përgjegjësinë sipas ligjit”- tha presidenti Jinping.

Mediet shtetërore raportuan se në mesin e personave të arrestuar është edhe pronari i restorantit “Fuyang Barbecue”.

Shpërthimi ndodhi pak para një feste në Kinë, kur shumë familje dhe miq bëhen bashkë për të festuar e për të ngrënë.

Sipas medieve lokale, në mesin e të vdekurve ishin disa nxënës të shkollave të mesme dhe disa pensionistë.

Numri i të vdekurve pritet të rritet, pasi të paktën shtatë persona janë lënduar dhe njëri prej tyre është në gjendje kritike, raporton agjencia “Xinhua”.

Ministria e Menaxhimit të Emergjencave tha se shërbimet e zjarrfikësve dhe të shpëtimit dislokuan mbi 100 anëtarë të personelit dhe 20 automjete në vendin e ngjarjes. Operacioni i shpëtimit zgjati deri në orën 4 të mëngjesit të së enjtes sipas kohës lokale.

Lajme të ngjashme