Shpërthim në një fabrikë eksplozivësh në Turqi, të paktën 12 të vdekur - NACIONALE

Shpërthim në një fabrikë eksplozivësh në Turqi, të paktën 12 të vdekur

1 vit më parë

nga NACIONALE

Guvernatori i Balikesirit në Turqi, Ismail Ustaoglu, ka njoftuar se sipas raportimeve fillestare, 12 njerëz kanë vdekur dhe tre të tjerë janë lënduar nga një shpërthim në një fabrikë eksplozivësh në distriktin Karesi.

Kryetari i fshatit ku ndodhi rasti tha se shpërthimi ishte shumë i fuqishëm dhe se janë ndier dridhje. Duke deklaruar se nuk ka mundësi që rasti të jetë sabotim, guvernatori shtoi se janë duke vazhduar përpjekjet për të përcaktuar se sa njerëz ndodheshin brenda fabrikës, raporton televizioni “CNN Turk”.

Ish-kryetari i fshatit Kavakli, ku ndodhi incidenti, tha: “Ndodhi një shpërthim. Së pari u drodhën dritaret, pastaj u shfaq një shtëllungë zjarri. Një sektor i fabrikës u shkatërrua. Ishin 20 njerëz duke punuar në ndërrim. Gjithsej 300 njerëz ishin në fabrikë. Kishte punëtorë edhe në fshat.”

Baki Eser, kryetar i fshatit Koteyli, që gjithashtu ndodhet afër fabrikës, tha: “Shpërtheu vendi brenda fabrikës ku prodhoheshin kapsula të barutit. Kishte shumë punëtorë. Po hanim mëngjes, kërcyem nga ulëset, ishte një dridhje e madhe. Gati 100 njerëz janë duke punuar. Të gjitha autoambulancat dhe zjarrfikësit në Balikesir janë dislokuar atje. Autoambulancat po presin para fabrikës. Spitalet janë në gjendje gatishmërie.”

Guvernatori Ustaoglu tha se nuk kishte rrezik për ndonjë shpërthim tjetër.

Lajme të ngjashme