Shpërthim në komitetin e paqes, së paku shtatë të vrarë në Pakistan
Të paktën shtatë njerëz u vranë dhe 16 të tjerë u plagosën të hënën, pasi një bombë e fuqishme shpërtheu afër zyrës së një komiteti të paqes me qëndrime pro-qeveritare në një ish-bastion të talibanëve pakistanezë në pjesën veriperëndimore të vendit, tha policia.
Sulmi ndodhi në Wana, qytet kryesor në distriktin e Waziristanit Jugor, i tha agjencisë së lajmeve “Associated Press” komandanti lokal i policisë, Usman Wazir.
Sipas tij, në shënjestër të shpërthimit ishte zyra e komitetit të paqes, e cila publikisht i kundërshton talibanët pakistanezë. Ky komitet gjithashtu ndihmon në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes banorëve.
Shpërthimi ndodhi një ditë pasi ushtria pakistaneze tha se trupat vranë 54 militantë në një operacion domethënës në distriktin e Waziristanit Verior pas përpjekjes së tyre për të hyrë në Pakistan nga Afganistani.
Asnjë grup nuk e mori menjëherë përgjegjësinë për sulmin e së hënës, por gjasat janë që faji t’u bjerë talibanëve pakistanezë, të njohur edhe si Tehreek-e-Taliban Pakistan ose TTP, të cilët shpesh i vënë në shënjestër forcat e sigurisë dhe civilët.
TTP-ja është grup i ndarë, por gjithashtu aleat i ngushtë i talibanëve afganë, të cilët e morën pushtetin në Afganistan në gushtin e vitit 2021, kur trupat amerikane dhe të NATO-s ishin në fazën përfundimtare të tërheqjes nga vendi pas 20 vjetëve luftë.