Shpërthim i madh në një xhami në Pakistan, të paktën 28 persona të vrarë - NACIONALE

Shpërthim i madh në një xhami në Pakistan, të paktën 28 persona të vrarë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Të paktën 28 persona janë vrarë në një eksplodim në një xhami në qytetin pakistanez të Peshawarit.

Shpërthimi ndodhi kur xhamia ishte e mbushur me besimtarë dhe më shumë se 150 persona janë lënduar.

Një pjesë e ndërtesës u shkatërrua, dhe zyrtarët thonë se ka njerëz të varrosur në rrënjoja. Shumë të tjerë po dërgohen nëpër spitalet lokale, raporton BBC.

Shkaku i shpërthimit mbetet ende i paqartë. Kryeministri Shebaz Sharif ka thënë se e dënon fuqishëm këtë sulm.

Në një deklaratë, z. Sharif tha se ata që qëndronin prapa incidentit “nuk kishin të bënin asgjë me islam”.

Ai shtoi: “I gjithë kombi është i bashkuar kundër kërcënimit të terrorizmit”.

Shpërthimi ngjau gjatë faljeve të pasdites në qytetin veri-perëndimor, afër kufirit me shtetin fqinj Afganistanin.

Mohammad Asim, zëdhënës i një spitali, tha që disa prej të plagosurve ishin në gjendje kritike.

“Është situatë emergjente,” – u shpreh z. Azim.

Mediat lokale raportojnë se policia, ekipet e armatosura dhe ato të bombave ishin në vend të ngjarjes.

Në kryeqytet, Policia e Islamabadit lëshoi një alarm të lartë të sigurisë dhe tha që siguria në të gjitha pikat hyrëse dhe dalëse të qytetit ishte rritur.

Ish-kryeministri Imran Khan po ashtu e dënoi bombardimin, duke e quajtur “sulm vetëvrasës terrorist” në një postim në Twitter.

Talebanët pakistanezë, të njohur edhe si Tehreek-e-Taliban Pakistan apo TTP, janë një grup i ndarë por aleat i ngushtë me talebanët në Afganistan që e morën pushtetin në atë vend në gushtin e vitit 2021 derisa trupat amerikane dhe ato të NATO-s ishin në fazat finale të largimit nga vendi pas 20 vitesh luftë, raporton Guardian.

TTP-ja ka bërë kryengritje në Pakistan përgjatë 15 viteve të fundit, duke luftuar për ligje më strikte të zbatimit të islamit në vend, lirimin e anëtarëve të saj që janë në burg nga qeveria dhe reduktim të pranisë ushtarake në ish rajonet tribale të vendit.

Lajme të ngjashme