Shpërthen papritur një bombë e Luftës së Dytë Botërore në Angli
Policia e Norfolk, një qytet në Angli, ka njoftuar se ka shpërthyer papritur një bombë 250 kg e mbetur nga Lufta e Dytë Botërore.
Shërbimet dhe agjencitë e urgjencës kanë deklaruar një incident të madh pas zbulimit të pajisjes së madhe të pashpërthyer në një vendkalim lumi në qytet, ndërsa kanë treguar se ishin duke punuar për detonimin e saj. Megjithatë, ata kanë njoftuar se pasditen e së premtes kishte pasur një “shpërthim të paplanifikuar”, por se askush nuk ishte lënduar.
Pas shpërthimit, policia ka njoftuar në Twitter se: “Bomba e pashpërthyer e Luftës së Dytë Botërore në Great Yarmouth ka shpërthyer. Ky nuk ishte një shpërthim i planifikuar dhe ndodhi gjatë punës me djegie të ngadaltë për të detonuar eksplozivët.”
Duke dhënë detaje mbi bombën, sipas The Guardian, një kontraktor që ishte duke punuar kishte thënë se ishte rreth një metër e gjatë dhe me peshë rreth 250 kg.
Ndërkohë, ndihmës shefi i policisë së Norfolk-ut, Nick Davison, është shprehur se: “Ky ka qenë një proces shumë i gjatë, por siguria publike dhe ajo e njerëzve të përfshirë në operacion ka qenë në qendër të vendimmarrjes.
Ndërsa, një zëdhënës i Cadent, i cili menaxhon rrjetin lokal të gazit, ka njoftuar se kanë inspektuar zonën, dhe nuk ka pasur shenja se shpërthimi ka shkaktuar dëme në gypa, duke shtuar se gazi vazhdon të rrjedhë i sigurtë.