Shpërthen një vullkan në Rusi, disa fshatra mbulohen me hi
Njëri nga vullkanet më aktive të Rusisë shpërtheu të martën në gadishullin e largët lindor, Kamchatka, duke formuar një re të madhe hiri në qiell, e cila mbuloi fshatra me hi vullkanik dhe e nxiti aktivizimin e një paralajmërimi për fluturime.
Vullkani “Shiveluch” shpërtheu pak pas mesnatës, ndërsa kulmin e aktivitetit e arriti rreth gjashtë orë më vonë, duke nxjerrë një re hiri mbi një sipërfaqe prej 108 mijë kilometrash katror, sipas Vëzhguesit Gjeofizik të degës së Kamchatka-s të Akademisë së Shkencave të Rusisë.
Nga vullkani rrodhi lava, duke e shkrirë borën dhe duke nxitur një paralajmërim për rrjedhjen e baltës përgjatë një autostrade, ndërsa disa fshatra u mbuluan me hi me trashësi deri në 8,5 centimetra, më së shumti në 60 vitet e fundit, raporton agjencia “Reuters”.
“Hiri arriti 20 kilometra lart, hiri mund të lëvizte drejt perëndimit dhe pati rënie shumë të fuqishme të hirit në fshatrat përreth”- tha Danila Chebrov, drejtor i degës së Kamchatka-s të Vëzhguesit Gjeofizik.
“Vullkani ishte duke u përgatitur për këtë për të paktën një vit… dhe procesi është duke vazhduar, edhe pse është qetësuar pak tani”- shtoi ai.
Rreth 300 mijë njerëz jetojnë në gadishullin e madh rus, Kamchatka, i cili ka dalje në Oqeanin Paqësor, në verilindje të Japonisë.
Nuk pati raportime të menjëhershme për pasoja në njerëz, edhe pse shkencëtarët thanë se vullkani ende ishte duke shpërthyer, 15 orë pas fillimit të shpërthimit.
Disa shkolla në gadishullin rreth 6.800 kilometra në lindje të Moskës u mbyllën dhe banorët u urdhëruan që të qëndronin brenda, tha kreu i rajonit komunal Ust-Kamchatsky, Oleg Bondarenko.
“Sepse ajo që porsa e kam parë me sytë e mi, do të jetë e pamundshme që fëmijët të shkojnë në shkollë dhe, në përgjithësi, prania e fëmijëve këtu është e diskutueshme”- tha ai.