Shpërthejnë zjarret në Kaliforni, evakuohen banorët - NACIONALE

Shpërthejnë zjarret në Kaliforni, evakuohen banorët

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Disa zjarre në natyrë shpërthyen të mërkurën në zona rurale në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara, duke i detyruar njerëzit që të evakuohen. Në atë pjesë të ShBA-së po mbretëron një vapë e madhe, që mund të zgjasë deri më 5 shtator.

Më shumë se 1.800 hektarë sipërfaqe rurale kodrash është djegur në pjesën veriperëndimore të distriktit të Los Angeles-it. Një rrugë e rëndësishme është bllokuar nga zjarri që përfshiu qindra hektarë për pak orë.

raportimet e medieve u panë një mur zjarri duke u ngjitur një kodre dhe tymi i ngritur qindra metra në qiell përderisa me aeroplanë hidhej ujë. Nuk ka pasur raportime të menjëhershme për dëme ndaj ndërtesave, por një park me shtëpi të lëvizshme me 94 rezidenca është evakuuar.

Edhe nxënësit e një shkolle fillore janë evakuuar. Temperaturat në atë zonë arritën në 42 gradë, thanë meteorologët.

Tetë zjarrfikës janë trajtuar për probleme të lidhura me vapën, përfshirë gjashtë që u dërguan në spitale, por të gjithë janë në gjendje të mirë, tha nënkomandanti i Departamentit të Zjarrfikësve në Los Angeles, Thomas Ewald.

Lëndime të reja priten përderisa zjarrfikësit po ballafaqohen me vapën ekstreme që pritet të vazhdojë deri në javën e ardhshme, tha zyrtari i zjarrfikësve të mërkurën në mbrëmje.

Ai paralajmëroi se mund të ketë zjarre të tjera në distriktin e Los Angelesit përderisa vapa vazhdon. Zyrtari shtoi se do të vendosen buldozerë për parandalimin e përhapjes së zjarreve përreth distriktit.

Një zjarr tjetër dogji të paktën katër ndërtesa, përfshirë një shtëpi, dhe nxiti evakuime në zonën Dulzura, në lindje të distriktit të San Diego-s, afër kufirit me Meksikën. Zjarri përfshiu shpejt rreth 650 hektarë, duke nxitur autoritetet që të lëshojnë urdhra evakuimi për të paktën 400 shtëpi.

Doganat dhe Mbrojtja Kufitare e ShBA-së njoftuan se pikëkalimi kufitar Tecate me Meksikën u mbyll tri orë në orët e para të së mërkurës për shkak të zjarrit dhe nuk do të hapet derisa të përmirësohen kushtet./Nacionale

Lajme të ngjashme