Shpërthejnë teoritë konspirative për sulmin në Teksas, dikush e fajëson Bidenin
Pas sulmit në një shkollë të Teksasit të martën, kur një sulmues 18-vjeçar vrau 19 nxënës e dy mësues para se të vritej nga forcat e sigurisë, në ShBA kanë filluar të përhapen teori të tmerrshme konspirative e dezinformata për sulmuesin dhe motivin e tij.
Associated Press
Disa orë pas sulmit masiv në Uvalde, përdoruesit e internetit filluan që të bënin pretendime të pabazuara për personin e identifikuar si autor i sulmit dhe për motivet e mundshme të tij.
Pretendimet e pabazuara se ai ishte emigrant që jetonte në mënyrë të paligjshme në ShBA ose që ishte transgjinor u shfaqën shpejt në “Twitter”, “Reddit” dhe në rrjete të tjera sociale. Ato u shoqëruan nga teoritë e njohura konspirative, sipas të cilave i tërë sulmi ka qenë disi i organizuar.
Këto pretendime i pasqyrojnë problemet më të gjera me racizmin dhe mungesën e tolerancës ndaj njerëzve transgjinorë dhe janë përpjekje për t’ua vënë fajin për sulmin grupeve të pakicave, të cilat tashmë ballafaqohen me shkallë më të lartë të ngacmimit në internet dhe me krime të urrejtjes, sipas ekspertës për keqinformim, Jaime Longoria.
Disa orë pas sulmit në shkollë, në rrjete sociale u përhapën shumë shkrimet me pretendime të rreme se sulmuesi ishte duke jetuar në mënyrë të paligjshme në ShBA. Disa përdorues të rrjeteve shtuan edhe elemente të tjera, përfshirë një në të cilin thuhet se sulmuesi ishte në arrati, duke u kërkuar nga Patrulla Kufitare.
“Ai ishte i huaj i paligjshëm, i kërkuar për vrasje nga El Salvadori”, thuhet në një postim në Tëitter, të pëlqyer e të shpërndarë qindra herë. “Ky është gjak në duart e Bidenit dhe nuk do të duhej të ndodhte kurrë”, thuhet më tej në postim.
Personi për të cilin autoritetet thonë se e kreu sulmin, 18-vjeçari Salvador Ramos, është qytetar amerikan, tha të martën në një konferencë për gazetarë guvernatori i Teksasit, Greg Abbott.
Përdorues të tjerë të rrjeteve sociale zgjodhën fotografi të përdoruesve të pafajshëm të internetit për t’i identifikuar në mënyrë të rreme si sulmues, duke pretenduar se ai ishte transgjinor.
Në një postim në Twitter, që tashmë është fshirë, u publikua një fotografi në të cilën shihet një grua transgjinore duke mbajtur në gojë një shishe të gjelbër dhe duke e shikuar kamerën. “LAJMI I FUNDIT: ZBULOHET IDENTITETI I SULMUESIT”, pretendoi përdoruesi i rrjetit të famshëm social.
Kjo nuk ishte e vërtetë. Në fotografi, në të vërtetë, shihet një grua transgjinore e quajtur Sabrina, e cila jeton në Nju Jork. Sabrina, e cila kërkoi që të mos i publikohej mbiemri për arsye privatësie, i konfirmoi agjencisë “Associated Press” se fotografia është e saj. Ajo tha se ka marrë reagime ngacmuese në rrjete sociale, sidomos mesazhe që pretendonin se ajo është sulmuesja.
Autoritetet nuk kanë publikuar informata për seksualitetin ose identifikimin gjinor të sulmuesit.
Kongresmeni nga Arizona, Paul Gosar, i përkrahu të dyja pretendimet e pabazuara për sulmuesin në një postim në Twitter, të cilin tashmë e ka fshirë e në të cilin edhe emri i sulmuesit ishte i shkruar gabimisht.
“Është i huaj i paligjshëm, majtist, trans-seksual, i quajtur Salvatore Ramos”, shkroi në Twitter kongresisti Gosar të martën në mbrëmje.
Në disa raste, keqinformimi për sulmet masive ose ngjarjet e tjera përhapet nga përdoruesit qëllimmirë të rrjeteve sociale në përpjekje për t’u bërë të dobishëm. Në raste të tjera, kjo mund të jetë vepër e mashtruesve që synojnë të hapin llogari të rreme për mbledhjen e parave ose që duan të tërheqin vëmendje për uebfaqet ose organizatat e tyre.
Përktheu: Nasuf Abdyli - Gazeta Nacionale