Shpallja e gjendjes ushtarake, jep dorëheqje ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut - NACIONALE

Shpallja e gjendjes ushtarake, jep dorëheqje ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut, Kim Yong-hyun, e ka dorëzuar dorëheqjen e tij te presidenti, sipas agjencisë së lajmeve “Yonhap”, pas shtimit të kritikave për shpalljen e ligjit ushtarak nga presidenti, duke nxitur kaos politik.

Presidenti Yoon Suk Yeol duhet ta miratojë dorëheqjen e ministrit para se ai të mund të lirohet nga detyra, raporton televizioni CNN.

Televizioni amerikan i ka dërguar pyetje Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Koresë së Jugut.

Njoftimi për dorëzimin e dorëheqjen nga ministri erdhi pak kohë pasi Partia Demokratike, grupi kryesor opozitar, tha se kishte dorëzuar mocion për ta hetuar presidentin.

Kryetari i Partisë së Fuqisë së Popullit, grup politik i presidentit Yeol, gjithashtu kishte bërë thirrje për largimin e ministrit të Mbrojtjes për shkak të rekomandimit të gjendjes ushtarake.

Nëse dorëheqja e ministrit të Mbrojtjes pranohet dhe ai largohet nga detyra, mocioni nuk do të jetë i nevojshëm, sipas analistëve.

Presidenti Yeol është ballafaquar me shtim të reagimeve në mbarë spektrin politik, përfshirë edhe partinë e tij, për dekretin e tij. Vetë kryetari i partisë së tij ka bërë thirrje për shkarkimin e ministrit të Mbrojtjes.

Më herët, gjashtë parti opozitare, përfshirë Partinë Demokratike, dorëzuan një projektligj që bën thirrje për hetimin e presidentit. Projektligji pritet që të paraqitet në sesionin plenar të së enjtes, ndërsa votimi të zhvillohet të premten ose të shtunën, sipas agjencisë së lajmeve “Yonhap”./Nacionale

Lajme të ngjashme