Shok në Rumani: Pas zgjedhjeve po prin djathtisti ekstrem e kritikuesi i NATO-s, Georgescu - NACIONALE

Shok në Rumani: Pas zgjedhjeve po prin djathtisti ekstrem e kritikuesi i NATO-s, Georgescu

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një populist pak i njohur i së djathtës ekstreme është duke udhëhequr në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të së dielës në Rumani, sipas të dhënave të autoriteteve të zgjedhjeve, dhe me gjasë do të ballafaqohet pas dy javësh në balotazh me kryeministrin majtist, Marcel Ciolacu. Ky rezultat e ka shokuar peizazhin politik të vendit evropian.

Calin Georgescu, i cili garoi si kandidat i pavarur, po udhëheq me rreth 22 për qind të votave pas numërimit të 93 për qind të tyre, ndërsa Ciolacu i Partisë Socialdemokrate, është i dyti me 21 për qind, raporton gazeta “The Guardian”.

Elena Lasconi nga partia Unioni për Shpëtimin e Rumanisë, po qëndron në vendin e tretë me rreth 18 për qind të votave, ndërsa George Simion, udhëheqës i Aleancës për Unitetin e Rumunëve, grup së djathtës ekstreme, është i katërti me rreth 14 për qind.

Pas mbylljes së qendrave të votimit, Byroja Qendrore e Zgjedhjeve tha se 9,4 milion njerëz ose rreth 52 për qind e banorëve me të drejtë vote kishin dalë për të votuar. Balotazhi do të mbahet më 8 dhjetor.

Presidenti shërben në mandate 5-vjeçar dhe ka kompetenca të konsiderueshme vendimmarrëse në fusha si siguria kombëtare, politika e jashtme dhe emërimet në sistemin e drejtësisë në një shtet që është anëtar edhe i BE-së, edhe i NATO-s.

Georgescu, që garoi si kandidat i pavarur, nuk ishte gjerësisht i njohur. Ai arriti rezultat më të mirë se ato që i kishin dalë në shumicën e sondazheve, duke dërguar valë shoku në establishmentin politik të Rumanisë, përderisa doli në vendin e parë me më së shumti vota.

Pasi votoi të dielën, në një postim në rrjete sociale ai tha se votoi “për ata që u është bërë padrejtësi, për të poshtëruarit, për ata që ndihen sikur nuk kanë peshë dhe në të vërtetë kanë peshë më së shumti… zgjedhjet janë lutje për kombin”.

Cristian Andrei, konsulent politik me bazë në Bukuresht, i tha agjencisë “Associated Press” se performanca e papritshme e Georgescu-t duket se është “një protestë ose revolt e madhe kundër establishmentit”.

“Partitë politike tradicionale e kanë humbur lidhjen me rumunët e rëndomtë. Nuk ka kandidatë të fuqishëm ose udhëheqës të fuqishëm… ka kandidatë të dobët, udhëheqës të dobët dhe partitë përgjithësisht janë goxha shumë të shkëputura [nga votuesit]– tha ai.

Georgiescu e ka quajtur “turp të diplomacisë” mburojën raketore të NATO-s me raketa balistike në qytezën Deveselu. Ai ka thënë se aleanca nuk do ta mbrojë asnjërin prej anëtarëve të vet, nëse ata sulmohen nga Rusia./Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme