Shmanget katastrofa, shpëtohet anija cisternë që po digjej në Detin e Kuq - NACIONALE

Shmanget katastrofa, shpëtohet anija cisternë që po digjej në Detin e Kuq

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një anije cisternë, që ishte sulmuar nga rebelët Houthi të Jemenit, është tërhequr dhe është dërguar në një zonë të sigurt në Detin e Kuq pa rrjedhje të karburantit, tha një mision detar i BE-së.

Anija me flamur grek, “MV Sounion”, që po transportonte rreth gjysmë milioni fuçi naftë të papërpunuar, u braktis nga ekuipazhi, pasi ishte goditur me raketa më 21 gusht. Luftëtarët e grupit Houthi më vonë aktivizuan mjete shpërthyese në anije, duke shkaktuar disa zjarre, raporton televizioni BBC.

Në një foto të publikuar të hënën në mbrëmje shiheshin tri anije që misioni i BE-së i përshkroi si “palë private” duke e kryer operacionin e shpëtimit, duke u mbrojtur nga një luftanije.

Destinacioni i anijes nuk u tregua, por raportohet se Araba Saudite ka ofruar ndihmë për shkarkimin e naftës që ndodhet në anijen e sulmuar.

“Kompletimi i kësaj faze të operacionit të shpëtimit është rezultati i një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunimit të ngushtë mes të gjitha palëve të përkushtuara për të parandaluar një katastrofë mjedisore që do ta prekte tërë rajonin” – tha Operacioni “Aspides” i BE-së në rrjetin X.

Rrjedhja e mundshme e naftës nga anija “Sounion” do të mund të ushte gati katër herë më e madhe se katastrofa e vitit 1989 me anijen “Exxon Valdez”, kur 2.100 kilometra bregdet ishte kontaminuar, pasi anija cisternë e kishte goditur shtratin e detit afër Alaskës, sipas ShBA-së.

Rebelët Houthi, që përkrahen nga Irani, thanë në fund të gushtit se ishin pajtuar që ta lejonin tërheqjen e anijes nga Jemeni, pasi ishin kontaktuar nga “disa palë ndërkombëtare”.

Ata gjithashtu theksuan se sulmi ndaj anijes e tregonte “seriozitetin në shënjestrimin e cilësdo anije që e shkel embargon jemenase”.

Lajme të ngjashme