Shkronja "Z": Putini dëshiron të na çojë krejt rusëve në Hagë - NACIONALE

Shkronja "Z": Putini dëshiron të na çojë krejt rusëve në Hagë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Pse Kremlini na thotë që ta quajmë këtë luftë si operacion special? Sepse askush në Rusi nuk donte luftë. Të gjithë ishin të frikësuar nga lufta. Lufta janë njerëzit që lënë shtëpitë e tyre për t’u kthyer në arkivole zinku. Janë gërmadhat me tym ku dikur qëndronin qytete që lulëzonin. Është frika që s’të ndahet. Është varfëria, uria, çmendia kolektive.

Kjo luftë nuk u kërkua prej njerëzve të rëndomtë që do të paguajnë për të. As nga bizneset që do të kolapsojnë shkaku i saj, e as nga të ashtuquajturat elita, që do të shkëputen nga dynjaja. Prej që nisi lufta, jeta normale përfundoi për të gjithë në Rusi, dhe jeta nën ligjin ushtarak nisi.

Vladimir Putini personalisht i shpalli luftë Ukrainës. Për një orë, në të gjitha kanalet televizive, ai provoi të shpjegonte se pse lufta ishte thelbësore – sepse Ukraina ishte një jo-shtet që në parim s’e meritonte të ekzistonte. Invazioni kishte themelet te urrejtja personale e Putinit. Ai donte lavdinë që shpresonte se do t’i sillte lufta. Ai llogariste në Blitzkrieg: në ditën që nisi lufta, stacionet televizive në ekstazë premtonin kapjen e Kjevit deri në mbrëmje.

Por Putini nuk ishte i përgatitur që të merrte përgjegjësi i vetëm. Kësisoji, para se të niste invadimi, ai mblodhi këshillin e sigurisë së Rusisë – çdokush që më vonë mund të thoshte “unë nuk e dija” – dhe u shpalosi fakte. Ai njollosi secilin që mund të kishte provuar që ndaras të arrinte marrëveshje për të shmangur luftën. Nuk jam unë, i tha Putini botës. Jemi ne – çdonjëri që është në krye të Rusisë. Perëndimi nuk e ka askënd me të cilin të negociojë këtu. Kështu që nëse një rast gjykimi ngritet një ditë në Hagë për luftën në Ukrainë, të pandehurit do të jenë i gjithë grupi. Secili person në këtë grup me siguri e mban këtë mundësi në mendje.

Ata, po ashtu, u frikësuan nga kjo përgjegjësi. Është aty, në videon e muajit shkurt të sesionit të këshillit të sigurimit të mbledhur në Kremlin. Me sa dukej, atyre askush nuk ua kishte thënë paraprakisht planet e Putinit për të pushtuar Ukrainën.

Dhe në mënyrë që ta ulte frikën e tyre, Putini më pas vendosi ta shpërndante përgjegjësinë për luftën te krejt regjimi i tij. Deputetët e Dumas (Kuvendit rus) dhe anëtarët e Këshillit Federal gjithashtu u thirrën për t’i parë faktet. Dhe për shkak të konsensusit teatral, deputetë e senatorë u desh ta mbështesnin publikisht Putinin. Parlamentarët rusë janë të detyruar që të votojnë unanimisht për çfarëdo mizorie që u çon Putini për aprovim.

Ata kishin dhënë miratimin e tyre për përdorimin e ushtrisë ruse në Donjeck dhe Luhansk. Por, tanket tona nuk shkuan në Donjeck. Ato shkuan në Harkiv, Kjev dhe Kerson. Një javë më vonë u bë e qartë se në vend të një Blitzkrieg-u kundër batalioneve mitike naziste, vendi po përballej me një luftë të madhe kundër krejt ushtrisë ukrainase dhe krejt popullit ukrainas. Forcat ushtarake ruse, që për kushedi çfarë arsye bizare e shenjonin shkronjën romake Z, mbetnin në lloç. Shifrat tona të vdekjeve u ngjitën në qindra. Artileria jonë nisi të qëllonte qorrazi, duke shkatërruar blloqe ukrainase ndërtesash. Kur forcat ruse bombarduan maternitetin dhe spitalin e fëmijëve, na u bë e qartë se mund të flisnim për krime lufte.

Regjimi i Putinit tash po provon që krimet e tij t’i lë si barrë për krejt popullin rus. Të na bëjë të gjithëve bashkëfajtorë. Të shenjojë ballin e çdo rusi me shkronjën Z. Putinit i vyen ta bëjë këtë gjë në mënyrë që të heqë përgjegjësinë nga regjimi i tij dhe ta vë te njerëzit e thjeshtë; që të bindë Perëndimin se Rusia nuk po shkatërron paqen në Evropë thjesht shkaku i rrebeve të një grupi të çmendurish, por shkaku i vullnetit të krejt Rusisë. Atij i vyen t’i bindë rusët që kjo luftë ishte shpallur në emër të mbijetesës së tyre.

Regjimi po inskenon ngjarje propagande për të marrë mbështetje popullore. Ka organizuar gara automobiliste me flamujt me shkronjën Z në 80 rajone ruse. Fëmijët e sëmurë me sëmundje vdekjeprurëse nga Kazani ishin rreshtuar në atë formë që ta bënin shkronjën Z në borën e ftohtë për t’u fotografuar nga lart. Shpjegime të reja janë ofruar për gjakderdhjen; Ukraina kishte armë kimike apo bakteriologjike; donte të ndërtonte bombë atomike; donte të na sulmonte e para. Për çdo çmim, për çfarëdo rrene, Putini duhej të dëshmonte që kjo kasaphanë kishte kuptim, që kjo luftë i duhej popullit e jo vetëm Kremlinit.

Por rusët duhet ta kuptojnë se duke mbështetur shkronjën Z po mbështesin bombardimin dhe granatimin e qyteteve paqësore ukrainase. Po mbështesin shkatërrimin e qindra shkollave dhe dëbimin e miliona njerëzve nga shtëpitë e tyre. Po mbështesin ndarjen e lidhjeve vëllazërore mes familjeve dhe popujve tanë përjetësisht. Po mbështesin izolimin e plotë të Rusisë, dobësimin e saj të paevitueshëm dhe transformimin në një koloni për materialet e papërpunuara të Kinës. Ata që besojnë këtë propagandë duhet ta kuptojnë se pjesa tjetër e botës tash i sheh rusët si pushtues. Do të na shohin neve si kriminelë lufte. Dhe kjo do të bëhet pjesë e historisë tonë përgjithmonë. Do të njollosemi – njollosemi me gjakun e ukrainasve paqësorë dhe rekrutëve tanë, që u dërguan në ferr “për trajnime”.

Kjo nuk është lufta jonë, dhe ne duhet ta kuptojmë një gjë të tillë. Duhet të flasim. Nuk duhet t’i lëmë të flasin për ne.

Dmitry Glukhovsky është shkrimtar dhe gazetar rus. Ky artikull është përkthyer në anglisht nga Catherine Mullier dhe Eugenia Ellanskaya dhe nga anglishtja në shqip nga Jetlir Buja.

Lajme të ngjashme