Shkon në mbi 44 mijë numri i të vdekurve në luftën e Gazës, thonë zyrtarët palestinezë - NACIONALE

Shkon në mbi 44 mijë numri i të vdekurve në luftën e Gazës, thonë zyrtarët palestinezë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Numri i përgjithshëm i të vdekurve në Rripin e Gazës gjatë luftës 13-mujore mes Izraelit e Hamasit e ka kaluar shifrën 44 mijë, thanë të enjten zyrtarët shëndetësorë palestinezë.

Ministria e Shëndetësisë tha se 44.056 njerëz janë vrarë, ndërsa 104.268 të tjerë janë plagosur që nga fillimi i luftës, duke shtuar se numri i vërtetë i viktimave është më i lartë, sepse mijëra trupa ndodhen nën rrënoja ose në zonat ku mjekët nuk mund të kenë qasje, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Kjo ministri nuk e bën dallimin e shifrave mes civilëve dhe luftëtarëve të vrarë, por ka thënë që më shumë se gjysma e rasteve fatale janë gra dhe fëmijë. Në anën tjetër, ushtria izraelite thotë se ka vrarë mbi 17 mijë luftëtarë, pa paraqitur dëshmi.

Në Liban, numri i të vrarëve nga sulmet izraelite dhe luftimet ka shkuar në mbi 3.580, ndërsa më shumë se 15 mijë të tjerë janë plagosur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të këtij shteti. Të paktën 51 njerëz u vranë të enjten nga sulmet izraelite ndaj qytezave e fshatrave në pjesë të ndryshme të Libanit.

Zyrtarë palestinezë dhe grupe për të drejtat e njeriut i akuzojnë forcat izraelite për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa gjykata më e lartë e OKB-së është duke e shqyrtuar rastin e paraqitur nga Afrika e Jugut, me të cilin Izraeli akuzohet për gjenocid. Qeveria izraelite i ka mohuar akuzat, duke i akuzuar kritikët se janë të njëanshëm kundër saj.

Izraeli thotë se mundohet që ta shmangë dëmin ndaj civilëve dhe e fajëson Hamasin, duke thënë se pjesëtarët e këtij grupi operojnë në zona banimi, ku kanë ndërtuar tunele, raketahedhës e infrastrukturë tjetër ushtarake.

Lajme të ngjashme