Shkon në 99 numri i viktimave të zjarreve në Hawai, mund të ketë më shumë
Ka shkuar në 99 numri i të vdekurve nga zjarret në ishullin Maui të Hawait. Ka gjasa që ky numër të rritet, përderisa ekipet e kërkimit po vazhdojnë t’I kontrollojnë lagjet e prekura.
Flakët që e kanë shkatërruar pjesën më të madhe të qytezës historike, Lahaina, tashmë janë më vdekjeprurëset në ShBA për më shumë se një shekull. Shkaktari është duke u hetuar, raporton agjencia “Associated Press”.
Guvernatori Josh Green tha se kërkimi do të marrë kohë dhe kërkoi hapësirë që procesi të bëhet në mënyrën e duhur. “Për ata që kanë ecur nëpër Lahaina për shkak se donin vërtet që të shihnin, le ta dinë se ka shumë gjasa që janë duke ecur mbi eshtra”- tha ai në një konferencë për gazetarë.
Në një intervistë për televizionin CBS që u transmetua më herët të hënën, guvernatori Green vlerësoi se punëtorët e kërkimit do të gjejnë mbetje të 10 deri në 20 personave në ditë derisa ta përfundojnë punën. “Dhe ndoshta kjo do të marrë dhjetë ditë. Është e mundshme që të hamendësohet, vërtet”- tha ai.
Njëzet qen për kërkim dhe dhjetëra ekipe kërkimi po e vazhdojnë punën nëpër blloqe të shndërruara në hi. Deri të hënën, ata kishin kërkuar në rreth 25 për qind të zonës, nga vetëm 3 për qind gjatë fundjavës, tha komandanti i policisë në Maui, John Pelletier.
Ndërkohë disa zyrtarë shtetërorë thonë se ka mungesë të ujit për zjarrfikës dhe ata ia vënë fajin për këtë një vendimi të marrë rishtazi nga një gjykatës i gjykatës mjedisore.
Kryqi i Kuq ka thënë 575 persona të evakuuar janë shpërndarë në pesë qendra strehimi të hënën.
