Shkon në 90 numri i të vdekurve nga uragani “Helene” në ShBA - NACIONALE

Shkon në 90 numri i të vdekurve nga uragani “Helene” në ShBA

1 vit më parë

nga NACIONALE

Autoritetet në pjesën juglindore të Shteteve të Bashkuara të dielën nisën përpjekje të gjera për pastrim dhe rimëkëmbje, ndërsa numri i viktimave shkoi në 90, pasi uragani “Helene” la miliona njerëz pa furnizim me energji elektrike, shkatërroi rrugë e ura dhe shkaktoi vërshime dramatike nga Florida në Virgjinia.

Erërat, shiu dhe vërshimet që u shkaktuan nga stuhia lanë të vdekur të paktën 90 njerëz në Karolinë të Veriut, Karolinë të Jugut, Florida, Virgjinia, Tennessee dhe Georgia, sipas statistikave të agjencisë “Reuters” që janë siguruar nga zyrtarë lokalë e shtetërorë.

Zyrtarët kishin frikë se do të gjenin më shumë trupa të pajetë. Pasi kullat e telekomunikimit janë prishur në mbarë rajonin, qindra njerëz ende nuk kanë kontaktuar me të dashurit e tyre që ende cilësohen të zhdukur.

Sipas vlerësimeve, dëmet e shkaktuara nga stuhia variojnë nga 15 miliardë deri në më shumë se 100 miliardë dollarë, thanë në fundjavë parashikuesit dhe kompanitë e sigurimeve, pasi sisteme të ujit, komunikimi dhe rrugët kritike të transportit u prekën nga moti i lig.

Në Karolinë të Veriut, pothuajse të gjitha viktimat ishin në distriktin Buncombe, ku vdiqën 30 njerëz, tha në një video-konferencë komandanti i policisë lokale, Quentin Miller.

Menaxherja e distriktit, Avril Pinder, tha se do të kërkonte nga shteti ndihmë urgjente me ushqime dhe ujë të pijshëm. Rrugët e qytetit piktoresk, Asheville, u përmbytën nga uji i vërshimeve.

Lajme të ngjashme